Lidhje

SHBA: Debati i kandidatëve demokratë

  • Jim Malone

Pesë pretendentët demokratë për emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale u mblodhën mbrëmë në Las Vegas ku debatuan një numër çështjesh, që nga Siria e deri tek ligjet për kontrollin e armëve dhe politikat energjetike. Në vazhdim disa momente të këtij debati me tone të ndezura:

Në debat u dallua një moment i papritur mirëkuptimi mes kandidates dominuese, Hillary Clinton dhe rivalit të saj kryesor, Senatorit Bernie Sanders, i cili kohët e fundit ka avancuar në anketa.

Tema që po diskutohej ishte përdorimi i një serveri privat për emailet nga Zonja Klinton gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti:

Bernie Sanders, kandidat demokrat për president

“Do të them diçka që nuk pasqyron mënyrën tradicionale të bërjes së politikës. Zonja Klinton ka të drejtë, amerikanët janë velur nga tema e emaileve”.....“Mjaft me emailet. Të diskutojmë sfidat konkrete të amerikanëve”.

Por pati edhe mospajtime të thella lidhur me politikat amerikane në Siri pas ndërhyrjes së Moskës:

“Mendoj se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara t’ia bëjnë shumë të qartë Putinit se është e papranueshme përfshirja e tij në Siri, ku po krijon kaos e po armatos njerëzit e Asadit”.

Bernie Sanders:

“Unë do të bëj çdo gjë kam në dorë për të garantuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen më në një qorrsokak siç ndodhi me Irakun, që përbën gabimin më të rëndë të politikës së jashtme amerikane”.

Ish-guvernatori i Merilandit, Martin O’Malley ka tjetër mendim:

“Unë nuk do të dilja me një zgjidhje ushtarake. Mendoj se vendosja e një zone ndalim-fluturimesh në Siri në këtë kohë do të ishte gabim”.

Ish guvernatori i shtetit Rhode Island, Lincoln Chafee u shpreh se vota e zonjës Klinton pro luftës në Irak përbën problem:

“Nuk kishte prova reale për armë të shkatërrimit në masë në Irak. Unë vetë e studiova situatën”.

Ish-senatori Jim Webb foli për një tjetër përparësi të politikës së jashtme:

“Nëse flasim për një vend ku duhet të përqëndrohemi në strategjinë tonë kombëtare, kërcënimi ynë kryesor strategjik është Kina”.

Dallime të thella u vërejtën edhe lidhur me ligjet për kontrollin e armëve. Zonja Klinton akuzoi zotin Sanders se mbron industrinë e armëve:

“Ai do t’i ofronte imunitet vetëm një industrie në Amerikë. Për të gjithë të tjerët ai kërkon të mbahen përgjegjës, përveç prodhuesve të armëve. Ne duhet të ngrihemi e ta themi hapur se kjo nuk do të lejohet të vazhdojë”.

Bernie Sanders:

“Si senator nga një shtet rural, dua t’i them Sekretares Klinton se këto thirrje nuk do të sjellin asgjë për pikësynimin tonë: për të mos lejuar që armët të bien në duart e individëve që s’duhet të zotërojnë armë, në mënyrë që të ndalë kjo dhunë”.

Nënpresidenti amerikan Joe Biden nuk mori pjesë në debat, pasi nuk ka hyrë ende në garë. Ai pritet të njoftojë së shpejti planet për zgjedhjet presidenciale 2016.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG