Lidhje

Në Filadelfia vazhdon Kuvendi i Demokratëve

  • Jim Malone

Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe Partia Demokratike hynë dje në histori kur zonja Clinton u bë e para grua që mori emërimin si kandidate për presidente nga një nga forcat kryesore poliitke. Por megjithëse kjo është një arsye për të festuar, demokratët përballen me sfida për të bashkuar partinë rreth kandidatëurës së zonjës Clinton dhe për t’u përgatitur për garën me republikanin Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme.



Filadelfia ka një vend të rëndësishëm në histori dhe dje, shtoi një kapitull të ri: gruan e parë të emëruar si kandidate për presidente në një nga partitë kryesore.

Demokratët emëruan zyrtarisht zonjën Clinton pas numërimit të delegatëve nga shtetet. Në sallën e kuvendit shpërtheu entuziazmi.

Kandidatja vetë i falenderoi delegatët përmes satelitit nga shtëpia e saj në Nju Jork:

"Kjo është fitorja juaj. Është nata juaj”.

Më herët, ish-presidenti Bill Clinton i entuziazmoi delegatët me një fjalim të fuqiishëm për gruan e tij”:

"Shpresoj që ta zgjidhni. Ata që kanë më shumë të djeshme se të sotme, shqetësohen më shumë për fëmijët dhe nipërit dhe mbesat dhe ju duhet ta zgjidhni është se në vendin më të mrekullueshëm të botës, ne gjithmonë kemi parë nga e nesërmja, kemi menduar për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve dhe ata do t’ju jenë mirënjohës përgjithmonë. Faleminderit dhe zoti ju bekoftë”.

Në një përpjekje për unitet në parti, ishte ish-rivali i zonjës Clinton, Bernie Sanders që i nxiti përkrahësit e tij të bashkohen rreth ish-sekretares së Shtetit”:

"Bëj thirrje që të gjitha votat e hedhura nga delegatët të regjistrohen zyrtarisht dhe që Hillary Clinton të zgjidhet si kandidatja e Partisë Demokrate për presiedente e Shteteve të Bashkuara”.

Por në një shenjë tensionesh të vazhdueshme, dhjetra delegatë të zotit Sanders, dolën nga salla dhe shkuan në qendrën e medias ku zhvilluan një protestë të heshtur.

Michael Grom është delegat i zotit Sanders nga Ohajo:

"Mesazhi i tyre është se nuk kanë zë në këtë demokraci. Ata ndjehen krejtësisht të përjashtuar. Demokracia jonë është vënë nën kontrollin e korporatave”.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, delegatja e zonjës Clinton, Janet Buskey e Alabamës ishte e lumtur:

"Mohimit të të drejtave të afrikano-amerikanëve, mohimit të të drejtave të grave, tani u jepet fund dhe unë shoh një Amerikë të realizuar”.

Ndërsa fokusi këtë javë ka qenë tek demokratët, republikani Donald Trump ka vazhduar fushatën me kritika të ashpra ndaj Hillary Clintonit.

Të mërkurën në Kuvend flasin Presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe kandidati për nënpresident, Tim Kaine. Ndërsa zonja Clinton flet nesër, ditën e fundit të Kuvendit.


XS
SM
MD
LG