Lidhje

Pozitat e pretendetëve demokratë në garë

  • Jim Malone

Mbi nënpresidentin Joe Biden po shtohet presioni për të hyrë në garën presidenciale 2016 mes shqetësimeve rreth kandidates kryesore të demokratëve, Hillary Clinton.

Mes shifrave në rënie në anketat e opinioit dhe shqetësimeve për fushatën e saj, ka një ndryshim të tonit dhe taktikave nga demokratja Hillary Clinton.

Në një intervistë për ABC News, zonja Clinton kërkoi për herë të parë ndjesë për skandalin e emailave që ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e saj:

“Duhet të kisha përdorur dy llogari, një personale dhe një tjetër për emailat e punës. Ky ishte një gabim dhe për këtë kërkoj ndjesë. Marr përgjegjësi dhe po përpiqem të jem sa më transparente.”

Rifillimi i fushatës Clinton vjen mes spekulimeve në rritje rreth mundësisë së nënpresidentit Joe Biden për të hyrë në garën e demokratëve.

Bidenin e nxitën një grumbull i madh njerëzish në Ditën e Punës në Pittsburgh, por për momentin ai është i përqëndruar tek dhimbja për vdekjen e djalit të tij Beau, që vdiq në maj.

Biden tha para një turme në Atlanta kohët e fundit se vazhdon të mbetet i pavendosur rreth një fushate tjetër:

“Po qe se nuk dal dot para partisë sime dhe popullit amerikan dhe të them se jam i gatshëm t’i kushtohem me gjithë zemër e shpirt kësaj sipërmarrjeje, atëherë nuk është me vend ta bëj.”

Hyrja vonë në garë e zotit Biden do të komplikonte gjërat për Clintonin e cila përballet me sfidën e papritur nga senatori i Vermontit Bernie Sanders.

Sanders po tërheq turma entuziaste me mesazhin e tij për ekonominë që tingëllon mirë për demokratët liberalë:

“Boll më. Kemi nevojë për një ekonomi për familjet punëtore dhe jo vetëm për miliarderët.”

Sanders e ka zgjeruar epërsinë ndaj zonjës Clinton në Nju Hempshër dhe po afrohet në Ajova, të dy shtetet ku zhvillohen zgjedhjet paraprake.

Por shumë demokratë ende nuk janë të bindur se zoti Sanders mund të fitojë kandidaturën, thotë analisti Stuart Rothenberg:

“Zonja Clinton nuk i ka përballuar si duhet polemikat e fundit por mendoj se do të jetë e vështirë për këdo të tërheqë mbështetësit e zjarrtë nga Hillary Clinton. Por unë jam i mendimit se Joe Biden ka potencialin ta arrijë këtë aty ku Bernie Sanders dështon.”

Rruga e Clintonit për t’u bërë gruaja e parë presidente mbetet një shpresë e fuqishme për gratë demokrate thotë analisti:

“Por për grupet demokrate me ndikim, ajo do të jetë kandidatura e parë presidenciale femër për një parti kryesore. Ajo do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara. Kjo është ende e rëndësishme për demokratët.”

Debati i parë i pretendentëve demokratë është planifikuar për më 13 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG