Lidhje

Demokratët dhe kuvendi i tyre në Sharlot


Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike fillon sot zyrtarisht punimet në shtetin e Karolinës së Veriut. Demokratëve u duhet të shpjegojnë në këtë kuvend vizionin e tyre për ekonominë, sepse papunësia në Shtetet e Bashkuara ka mbetur e lartë gjatë gjithë mandatit presidencial të Barak Obamës dhe anketat e opinionit tregojnë se kjo çështje po i dëmton shanset e tij për t’u rizgjedhur.

Këtu në Sharlot, demokratët po përpiqen të vënë dukje meritat e Karolinës së Veriut, një shtet i rëndësishëm ku atyre u duhet të fitojnë në zgjedhjet e nëntorit.

Demokratët mblidhen në Sharlot në një kohë të vështirë për Karolinën e Veriut, kur papunësia në këtë shtet është mjaft më e lartë se sa mesatarja e vendit prej mëse 8 përqind. Shumë këtu ua hedhin fajin korporatave të mëdha James Hoffa, është kreu i sindikatës më të madhe të punës në Shtetet e Bashkuara.

"Ata po i heqin kompanitë që ishin këtu dhe po i çojnë në Meksikë apo në Indi. Por kjo eliminon vendet e punës për klasën e mesme”.

Demokratët që kanë ardhur këtu thonë se janë republikanët e djathtë konservatorë që e kanë futur vendin në probleme ekonomike. Ja ç’thotë njëri prej tyre, udhëheqësi i të drejtave civile, Jesse Jackson.

“Presidenti Barak Obama trashëgoi një papunësi të lartë, humbjen e qindra mijra vendeve të punës. Kjo hemoragji tani është ndalur.”

Reginald Purcell është një nga viktimat e papunësisë. Këtë javë ai ka punë vetëm sepse në qytet po zhvillohet kuvendi. Megjithatë ai përsëri do të votojë për Presidentin Obama.

"Mendoj se jemi në pikën e kthesës, kur ekonomia po përmirësohet."

Kandidati republikan për president Mitt Romney, dhe ai për nënpresident Paul Ryan ua hedhin fajin demokratëve, duke përmendur madje një president të 30 vjetëve më parë. Zoti Ryan ishte dje këtu në Karolinën e Veriut për fushatë.

"Çdo president që nga Depresioni i Madh i cili kërkonte të rizgjidhej ishte në gjendje të thoshte se amerikanët ishin më mirë se katër vjet më parë, me përjashtim të Jimmy Carterit dhe të Presidentit Barack Obama.''

Demokratët dhe Presidenti Obama do të paraqesin argumentet e tyre gjatë tri ditëve në vazhdim.


Kjo arenë e zbrazët do të mbushet çdo ditë me 6,000 delegatë dhe mijra vullnetarë e përkrahës. Fjalimet kryesore do të transmetohen në televizion.
XS
SM
MD
LG