Lidhje

Ish të burgosurit politikë grevë urie për dëmshpërblimet


Greva e tyre hyn sot në ditën e pestë dhe gjendja shëndetësore po rëndohet, edhe për faktin se ata janë duke protestuar në qiell të hapur.

Një grup të ish të burgosurish politikë të diktaturës komuniste po zhvillojnë në Tiranë një grevë urie me kërkesa ekonomike mbi dëmshpërblimet që atyre ua njeh ligji për burgimin e padrejtë. Greva e tyre hyn sot në ditën e pestë dhe gjendja shëndetësore po rëndohet, edhe për faktin se ata janë vendosur në qiell të hapur anës një rruge në lagjen e quajtur “Komuna e Parisit”.


Një nga nismëtarët e grevës së urisë, Shpëtim Karamuça, ish i dënuar i regjimit komunist me 26 vjet burg, pasi i vranë prindërit, pohon se “prej 21 vjetësh kanë fituar pafajësinë dhe grevistët kërkojnë të zbatohet neni 44 i Kushtetutës dhe neni 57 i Kodit Penal për masën e kompensimit”. Ata thonë se formula matematikore e dëmshpërblimit është e paprecedent, dhe se ligji nuk u njeh ditët e hetuesisë si një ditë e gjysëm burgim.

Grevistët kërkojnë gjithashtu që letrat me vlerë shpërndarë vite më parë t’u merren nga shteti dhe t’u kthehen në para, shtëpitë e tyre të vlerësohen si gjithë banorët e tjerë dhe që pensionet e tyre të rishikohen, duke u bërë të krahasueshme me invalidët e Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa greva e urisë vazhdon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, zyrtarë të ministrisë së financave dhe të drejtësisë, pohuan se ende nuk janë njohur zyrtarisht me kërkesat e grevës, por po vazhdojnë të plotësojnë kërkesat e ish-të dënuarve politikë sipas ligjit.

Sipas të dhënave më të fundit, në ministrinë e drejtësisë janë dorëzuar rreth 25 kërkesa për dëmshpërblime nga të përndjekurit, dhe afro gjysma rreth 12 mijë dosje, janë kaluar në ministrinë e financave dhe kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit. Gjysma tjetër janë duke plotësuar mungesat në dokumenta në përputhje me ligjin, dhe pritet të miratohen shpërblimet edhe për ta.

Pas këstit të parë, bëhet e ditur nga ministria e financave, se është duke u shpërndarë kësti i dytë dhe deri tani këtë e kanë marrë mbi 500 ish të dënuar politikë, sipas rradhës që kishin gjatë këstit të parë. Procesi vazhdon rregullisht në përputhje me ligjin, thonë zyrtarët e financave, ndërsa të dënuarit politikë po përsëritin të njëjtën grevë për të disatën herë me të njëjtat kërkesa, duke patur vështirësi edhe me përfaqësimin e tyre të pjesëtuar në disa shoqata.
XS
SM
MD
LG