Lidhje

Dëmtimet në tru dhe gjendja mendore e ushtarëve në frontin e luftës


Rasti i Robert Bales, reshteri i ushtrisë amerikane i akuzuar për vrasjen e 17 civilëve afganë po tërheq vemendjen se si i trajton ushtria amerikane dëmtimet e trurit si dhe te çështjet e shëndetit mendor. Reshteri Bales u plagos në tru ndërsa shërbente në Irak. Në vazhdim ju njohim me rastin e një ish-ushtari dhe përvojën e tij.

Për Will Cook, kthimi në shtëpi ka qënë po aq i vështirë sa edhe vajtja në luftë në Irak.
Mjekët mendojnë se ish specialisti 22 vjeçar i ushtrisë amerikane vuan nga plagosje traumatike të trurit pas një shpërthimi.

Ai humbi pjesë të njërës këmbë dhe tani përdor një protezë, ndërkohë që truri është ende në shërim e sipër.

“Kam humbur një pjesë të mirë të kujtesës. E kam të vështirë të mbaj mënd gjëra të ndryshme dhe kur përpiqem të flas nuk më kujtohen fjalët”.

Ai ankohet se ka ankth dhe dhimbje të tmerrshme koke. Mjekët e ushtrisë i thanë se ai vuante nga stresi post-traumatik. Will Cook e dinte se diçka tjetër nuk shkonte, diçka që mjekët me sa duket nuk e gjenin dot.

“Mjekët nuk më dhanë të gjitha alternativat. Dhe nuk mendoj se ata donin të bënin përpjekje të tjera sepse mendonin se e kishin gjetur sëmundjen time. Ata më dhanë diagnozën e stresit sepse skanimi nuk tregoi dëmtime traumatike në tru".

Dr. Stephen Xenakis psikiatër dhe gjeneral ushtrie në pension, që tani ka kompaninë e tij private, e ekzaminoi me kujdes rastin e Will Cook në një mënyrë që ai thotë se mjekët e ushtrisë nuk kanë kohë ta bëjnë.

“Kemi të bëjmë me kulturën e ushtrisë, që me të drejtë përqëndrohet tek misioni i saj, që të kurojë sa më shumë ushtarë që të jetë e mundur”.

Rasti i reshterit Bales ka tërhequr vemendjen tek ky spital ushtarak në shtetin Uashington.

Spitali po hetohet pasi qindra pjestarëve të ushtrisë iu ndryshua diagnoza në stres post-traumatik. Kritikët thonë se kjo u bë për shkak të kostos së lartë të kurimit të rasteve me probleme mendore.

Ushtria thotë se kjo nuk ka qenë diçka sistematike.

Dr. Xenakis thotë se ana financiare mund të ndikojnë në vendimet e mjekëve për të kuruar, ashtu siç ndikojnë edhe çështje të tjera, si përvoja, koha e kaluar me pacientin si dhe thjesht fati i një pacienti apo i një tjetri.

“A do të thotë kjo që duhet të jemi më sensitivë, se është më mirë që të bëhet një diagnistikim më i hollësishëm? Kjo duhet parë”.

Për Will Cook, më shumë se 30 terapi të ndryshme kanë dhënë efekt.

“Nuk kam pasur dhimbje koke, zhurma që dëgjoja ka ndaluar. Kujtesa ka filluar të përmirësohet, i mbaj mënd më mira gjërat dhe nuk harroj fjalët. Ankthi, që kisha më parë, ka rënë në nivel të përballueshëm".

Will nuk ka ndërmend të kthehet në ushtri, por ai po vazhdon me plane të tjera në jetë. Vetëm para pak muajsh ai nuk mund të mbante mënd gjëra të thjeshta si numrat e telefonit, kurse tani po bëhet gati të fillojë studimet e larta.

XS
SM
MD
LG