Lidhje

Dënimi me vdekje në Kaliforni


Kalifornezët do të vendosin mes të dy alternativave konkurruese për votim në nëntor, një për të hequr dënimin me vdekje dhe një tjetër për ta forcuar atë.

750 persona janë tashmë në radhë për dënim me vdekje në Kaliforni, dhe ekzekutimet e tyre janë pezulluar nga gjykatat.

Tani ekziston një konsensus që sistemi i dënimit me vdekje i Kalifornisë nuk ka funksionuar si duhet që nga viti 1978, kur shteti e rivendosi dënimin atë praktikë.

“Qytetarët e Kalifornisë kanë shpenzuar 5 miliardë dollarë. Shteti ka ekzekutuar 13 persona. Rreth 100 kanë vdekur nga shkaqe natyrore duke pritur kur t’i vinte rradha për ekzekutimin e dënimit, para se proceset e apelimit kishin përfunduar ose para se shteti t’i ekzekutonte” thotë avokatja Paula Mitchell.

Votuesit do të përcaktojnë sistemin: me Propozimin 62 e cila heq dënimin me vdekje apo Propozimin 66, që e bën procesin ligjor për ekzekutime më efikas.

Publiku është në mëdyshje.

“Është shumë e qartë për mua se sistemi i dënimit me vdekje në vendin tonë kur zbatohet është racist. Përdoret vetëm ndaj të varfërve ose ata që nuk kanë avokatë të aftë. Zë dhe vret të pafajshmit. Thjesht, sipas mendimit tim, nuk ka drejtësi dhe justifikim për të” thotë aktori Mike Farrell.

Ish-lojtari i futbollit amerikan Kermit Alexander e mbështet dënimin me vdekje. Nëna e tij, motra dhe dy nipërit iu vranë.

“Kjo ka lidhje me drejtësinë. Nëse do të kishte qenë për hakmarrje, atëherë burri im do të kishte marrë hak 30 vjet më parë në gjykatë. Por duhet pritur të përfundojë procesi. Nëse duhet kohë, atëherë duhet pritur” thotë bashkëshortja e sportistit.

Vonesat janë rezultat i apelimeve gjyqësore dhe i mungesës së avokatëve të specializuar. Propozimi 66 ka për qëllim të përmirësojë sistemin.

Tridhjetë shtete të Shteteve të Bashkuara ende e kanë dënimin me vdekje dhe të tjerët jo. Dënimi me vdekje zbatohet shumë rrallë, por shumë prokurorë thonë se duhet mbajtur për krimet më të rënda.

“Rastet monstruoze, për rastet skandaloze. Dhe unë mendoj se është një mjet për të cilin ne prokurorët dhe sistemi i drejtësisë kemi nevojë për të ndëshkuar kriminelët në mënyrë të përshtatshme, ata që kryejnë krime të të tmerrshme, dhe është gjithashtu një mënyrë për shoqërinë që të shprehë zemërimin për atë që ndodhi” thotë prokurori Mike Hestrin.

Kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara janë ndër kombet e pakta demokratike që mbajnë dënimin me vdekje.

“Mendoj se na korrupton. Mendoj se korrupton shoqërinë. Dhe unë mendoj se na poshtëron si njerëz” thotë aktori Mike Farrell.

Përkrahësit thonë se është i nevojshëm.

“Është për të thënë se ne jemi një shoqëri që e vlerëson jetën, dhe në qoftë se merret një jetë, do të paguhet për të” thotë zonja Alexander.

Votuesit do të vendosin më 8 nëntor.

XS
SM
MD
LG