Lidhje

Vritet autori i dy sulmeve në Kopenhagë


Policia daneze hapi zjarr dhe vrau në orët e para të ditës së sotme personin e dyshuar për vrasjen e dy personave në Kopenhagë që nga e shtuna, në një akt që kryeministrja e vendit e quajti “një sulm cinik terrorist kundër Danimarkës”. Autoritetet thanë se personi që nuk është identifikuar publikisht, u vra pasi happi zjarr ndaj oficerëve në një stacion treni.

Zyrtarët thonë se nuk ka prova që sugjerojnë përfshirjen e personave të tjerë në sulmet e djeshme me armë, që kishin si objektiv një takim mbi lirinë e shprehjes që po mbahej në një lokal dhe sinagogën kryesore të Kopenhagës.

"Ne mednojmë se dy sulmet janë kryer nga i njejti person dhe efektivët e policisë së stacionit Norrebro e kanë qëlluar personin që është përgjegjës për të dyja vrasjet. Por ne duhet të merremi me shumë çështje të tjera dhe për këtë arsye do të vazhdojmë praninë masive këtu në kryeqytet edhe në orët e ardhshme'', tha Torben Molgaard Jensen, Kryeinspektori i policisë në Kopenhagë

Në sulmin e parë, një person i armatosur me një armë automatike vrau një person dhe plagosi tre policë në një takim mbi lirinë e shprehjes.

Kryeministrja daneze Helle Thorning-Schmidt e quajti sulmin ndaj kafenesë një sulm terrorist.

Karikaturisti suedez Lars Vilks duket se ishte objektiv i sulmit ndaj kafenesë. Ai është i njohur për vizatimet e tij satirike provokuese, duke përfshirë një karikaturë të vitit 2007 ku portetizohej Profeti Muhamed me trupin e një qeni. Ai nuk u lëndua në këtë incident.

Një vullnetar hebre që bënte roje u vra dhe dy policë u plagosën disa orë më vonë gjatë një sulmi mbi sinagogën kryesore të Kopenhagës.

"Në fakt unë nuk kam frikë. Është më shumë si një ndjenjë e çuditshme që kjo po ndodh në Danimarkë. Ne kemi dëgjuar për atë që ka ndodhur në Paris'', tha Peter Tyrrestrup.

Policia sot qëlloi për vdekje një të dyshuar pasi ai hapi zjarr ndaj oficerëve të policisë në një lagje ku policia kishte vënë një ndërtesë nën vëzhgim.

Asnjë polic nuk u plagos gjatë këtij shkëmbimi me armë zjarri.

XS
SM
MD
LG