Lidhje

Departamenti amerikan i Drejtësisë hedh në gjyq Arizonën rreth ligjit për imigracionin

  • Carolyn Presuti

Ligji do të bëjë të mundur që punonjësit e rendit të kërkojnë prova të statusit ligjor në Shtetet e Bashkuara, nëse kanë dyshime se personat në fjalë janë ilegalë. Kjo do të jetë hera e parë që imigracioni i paligjshëm do të binte ndesh me një ligj shtetëror përveç atij federal.

Të martën, Departamenti amerikan i Drejtësisë depozitoi një akt-padi kundër Arizonës për “kapërcimin e vijës kushtetuese” që garanton se ligji federal ka fuqi mbi ligjin shtetëror. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano thotë se zbatimi i ligjit për imigracionin është përgjegjësi e qeverisë kombëtare.

Zbatimi i ligjit përgjatë kufirit dhe shteteve të tjera është kryesisht një përgjegjësi federale. Ne e zbatojmë një ligj të tillë por kemi nevojë për më shumë njerëz, teknologji dhe infrastrukturë, kjo është pjesë e planit tonë.

Mbështetësit e ligjit të Arizonës thonë se qeveria federale nuk ka bërë aq sa duhet për të luftuar problemin e imigrantëve ilegalë që kalojnë kufirin jugor amerikan.

Arizona është porta më e madhe për në Shtetet e Bashkuara për imigrantët ilegalë dhe është strehë e rreth 460 mijë njerëzve që kanë kaluar kufirin në rrugë të paligjshme.

Colby May punon me Qendrën Amerikane për Ligjin dhe Drejtësinë që trajton çështje të ligjit kushtetues.

Arizona nuk po mundohet të rregullojë imigracionin. Ata nuk po thonë se kush mund të vijë dhe kush mund të shkojë. Thjesht, ata po miratojnë një ligj që pasqyron atë që qeveria federale ka patur në rregulloret e veta për 40 vjet. Në këtë kontekst nuk e kuptoj çfarë është kaq shokuese për qeverinë federale ?

Sipas një ankete të kohëve të fundit nga Qendra e Kërkimeve Pew këtu në Uashington, më shumë se 60 përqind e amerikanëve e mbështesin ligjin e Arizonës. Muajin e kaluar, votuesit e qytetit Fremont në shtetin Nebraska miratuan një masë që e bën të paligjshme marrjen në punë dhe dhënien e apartamenteve me qera për imigrantët e paligjshëm.

Javën e kaluar, guvernatori i shtetit Tenesi miratoi ligjin që u kërkon burgjeve të kontrollojnë statusin e imigrantëve në burgjet shtetërore. Analistët thonë se e ardhmja e ligjeve të tilla varet nga fati që do të ketë çështja e Arizonës.

Steve Vlaedeck është profesor i ligjeve kushtetuese në Universitetin Amerikan në Uashington. Ai parashikon se gjykatat do të vendosin kundër Arizonës duke u mbështetur mbi klauzolën kushtetuese, e cila thotë se ligji federal është mbi një ligj shtetëror të debatueshëm. Por zoti Vladeck thotë se Arizona e ka arritur synimin e vet edhe nëse humbet çështjen.

Nuk mendoj se ata kanë fuqinë për ta miratuar ligjin kundër imigracionit. Por mendoj se ja kanë arritur synimit që kanë patur, i cili është fillimi i një debati kombëtar rreth politikave dhe reformës së imigracionit.

Qeveria federale po kërkon një vendim gjyqësor për të ndaluar Arizonën që të zbatojë ligjin që hyn në fuqi nga fundi i ketij muaji. Ndërkohë që të dy palët shprehen se do ta shtrojnë çështjen në gjykatë, analistët thonë se çështja përfundimisht mund të shkojë para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG