Lidhje

Dokumenti: A mund të vriten shtetasit amerikanë?


Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder shpjegoi ligjshëmërinë e operacioneve të miratuara nga administrata e Presidentit Obama

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder shpjegoi ligjshëmërinë e operacioneve të miratuara nga administrata e Presidentit Obama, që e lejon qeverinë të vrasë qytetarë amerikanë, nëse besohet se ata janë udhëheqës të lartë të al-Kaidës të angazhuar aktivisht për të vrarë amerikanë.

Prokurori i Përgjithshëm Holder i bëri këto komente pas publikimit të një dokumenti të brendshëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Dokumenti prej 16 faqesh, që nuk dihet se si është nxjerrë, jep arsyet se përse qeveria ka të drejtë të përdorë avionë pa pilot për të goditur persona të dyshuar si anëtarë të al-Kaidës.

Aty thuhet se "një zyrtar i lartë i mirinformuar" duhet që së pari të ketë arritur në përfundimin se personi i vënë në shënjestër përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për një sulm të dhunshëm kundër Shteteve të Bashkuara.

Dokumenti specifikon gjithashtu se fjala është për rastet kur kapja e personit është e pamundur dhe shton se goditja e tij duhet të përputhet me parimet e ligjeve të luftës.

Të hënën, disa senatorë amerikanë i dërguan një letër Presidentit Barack Obama ku i kërkonin që ai t'i paraqiste Kongresit dokumentet ligjorë sekretë në të cilat përcaktohen kompetencat e tij për të vrarë shtetas amerikanë në operacionet e antiterrorit jashtë vendit.

Ligjvënësit thanë se këto dokumente u nevojiten për ta mbikqyrur si duhet ekzekutivin.

Sulmet amerikane me avionë pa pilot kundër personave të dyshuar si anëtarë të al-Kaidës janë shtuar. Në disa prej këtyre sulmeve janë vënë në shënjestër shtetas amerikanë, duke përfshirë personat e dyshuar si operativë të al-Kaidës, Anwar al-Awlaki dhe Samir Khan.
XS
SM
MD
LG