Lidhje

Departamenti i Shtetit: Shqipëria, Kosova burim trafikimi të qenieve njerëzore

  • Zëri Amerikës

Departamenti i Shtetit: Shqipëria, Kosova burim trafikimi të qenieve njerëzore

Departamenti i Shtetit: Shqipëria, Kosova burim trafikimi të qenieve njerëzore

Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për gjendjen e trafikimit të qenieve njerëzore në botë, Shqipëria cilësohet si burim trafikimi. Shqipëria, thuhet në raport është sidomos burim prostitucioni të detyruar dhe pune të detyruar duke përfshirë edhe detyrimin e fëmijëve për të lypur.

SHQIPËRIA

Viktimat nga Shqipëria, thuhet në raport, i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për shfrytëzim seksual në Shqipëri, Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Europën Perëndimore. Rreth gjysma e vitimave të cilat gjatë vitit 2009 iu referuan organizatave që kujdesen për raste të tilla ishin shqiptare, kryesisht gra e vajza të detyruara të merreshin me prostitucion nëpër hotele apo në banesa private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Fëmijët kryesisht janë shfrytëzuar për lypje dhe forma të tjera të punës së detyruar. Ka gjithashtu prova se meshkuj shqiptarë u janë nështruar kushteve të punës së detyruar në bujqësi si në Greqi ashtu edhe në vende të tjera fqinjë, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Raporti thotë se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut, megjithatë po bën përpjekje serioze me këtë synim.

Qeveria, thotë raporti, ka vazhduar punën për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikut si dhe ka ndjekur ligjërisht me sukses disa nga trafikantët e qenieve njerëzore. Megjithatë, ka patur shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e viktimave të cilat kanë dëshmuar kundër trafikantëve.

KOSOVA

Edhe Kosova cilësohet në raport si burim, tranzit dhe destinacion për gratë dhe fëmijët që i nënshtrohen trafikimit njerëzor, sidomos prostitucionit të detyruar dhe detyrimit të fëmijëve për të lypur.

Shumica e viktimave të huaja të prostutucionit të detyruar janë vajza të reja nga Europa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Serbinë. Gra dhe fëmijë nga Kosova, thuhet npë raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, detyrohen të merren me prostitucion brenda Kosovës si dhe në vende të tjera kudo në Evropë. Një organizatë joqeveritare raporton se kishte identifikuar më shumë se 300 fëmij, sidomos nga komunitetet rome, që detyroheshin të lypnin në Kosovë.

Policia vazhdon të raportojë se edhe në veriun e Kosovës mund të ketë trafikim të serbëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk përmbush minimumin e standardeve për eliminimin e trafikut, por ka ndërmarrë përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim.

Raporti i rekomandon qeverisë që të ndërmarrë një politikë aktive për ndjekjen ligjore dhe ndëshkimin e trafikantëve.

XS
SM
MD
LG