Lidhje

Deputetët e arrestuar merren në pyetje

  • Armand Mero

Avokatët e zotit Doshi dhe Frroku këmbëngulin: Ndalimi është i jashtëligjshëm. Vendimi për masën e sigurisë i takon Gjykatës së Lartë

Në Shqipëri, dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, të arrestuar një ditë më parë u morën sot në pyetje nga prokurorët, ndërsa avokatët e tyre presin seancën e Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar masën ekstreme të ndërmarrë ndaj dy anëtarëve të parlamentit. Avokatët mbrojtës e konsiderojnë të jashtëligjshëm ndalimin. Nga ana e saj ambasada amerikane në Tiranë, përmes një deklarate ripërsëriti qëndrimin se Prokuroria dhe institucionet gjyqësore duhet të sigurojnë një proces të rregullt.

Kur kanë kaluar vetëm 24 orë nga arrestimi i dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku ende nuk ka asnjë njoftim se kur Gjykata e Lartë do të shprehet për masën e sigurisë ndaj tyre. Avokatët e deputetit Doshi, kërkuan sot nga Gjykata lirimin e menjëhershëm të tij, pa pritur afatin 48 orësh që parashikon ligji, pasi sipas avokatit Vladimir Meci arrestimi është i paligjshëm: “Prokurori ka tejkaluar kompetencat e tij duke abuzuar me vendimin e parlamentit”.

Prokurorët e po ashtu dhe avokatët e të dy deputetëve qëndruan sot gjatë në mjediset e Dretorisë së Përgjithshme të Policisë ku zoti Doshi dhe Frroku ju nënshtruan marrjes në pyetje. “Sot ishte një moment procedurial për pyetjen e të ndaluarit. Për të tjerat do të ballafaqohemi në Gjykatë. Nuk jemi njohur akoma me provat”, u shpreh Ferid Mucaj, avokati tjetër i deputetit Doshi.

Edhe avokatët e deputetit Frroku janë në pritje të marrjes së akteve dhe provave: “Ndalimi do të konsiderohet i paligjshëm, pasi nuk ka ndalim për veprat penale për të cilat ligji parashikon nga gjobë deri 1 vit burg. Nga prokuroria do na vihen në dispozizion aktet. Akuza, deklarim i rremë para prokurorit, fiton të drejtën e konsumimit vetëm pasi cështja shkon në gjykatë”, shpjegoi zoti Saimir Vishaj, avokat i deputetit Frroku.

Në urdhërin e ndalimit për këtë të fundit, Prokuroria përmendte edhe një proces gjyqësor që zoti Frroku ka sipas saj në Belgjikë ku dyshohet për një vrasje. Por avokatët e tij thanë se nuk ka asnjë dokumentacion për këtë cështje: “Nga ministria e Drejtësisë, apo nga autoritetet belge apo të huaja nuk ka asnjë akt ndaj klientit tim. Nëse do të kishim njohje të vendimit të huaj apo arrest ndërkombëtar, do të kishim masa të tjera sigurie”.

Dy deputetët u ndaluan pasditen e djeshme vetëm pak orë pasi parlamenti votoi në favor të kërkesës së paraqitur më parë nga Prokuroria. Kjo e fundit veproi me shpejtësi duke zgjedhur të mos priste të kërkonte autorizimin për arrestim nga Gjykata por duke vepruar përmes një urdhëri ndalimi.

Për zhvillimet rreth kësaj cështjeje, pati një deklaratë edhe ambasada amerikane, në përgjigje të interesimit të mediave në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara rithekson deklaratën e saj të mëparshme, e cila bën thirrje që Prokuroria dhe institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar një proces të rregullt”, saktëson njoftimi duke shtuar se ambasada vazhdon “të nxisë të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe të mbështesë përpjekjet e kuvendit për të hartuar legjislacionin në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit të kaluar”, ku palët ranë dakort për të nisur procesin e dekriminalizimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG