Lidhje

Der Spiegel: SHBA ka përgjuar BE-në


Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të revoltuar, kanë kërkuar sqarime nga Shtetet e Bashkuara pasi një revistë gjermane njoftoi se Agjencia Kombëtare amerikane e zbulimit ka vendosur pajisje përgjimi në zyrat e BE-së dhe ka siguruar qasje në rrjetet e brendshme kompjuterike të BE-së, si pjesë e aktivitetit të saj të përgjimit.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz tha se nëse ky lajm është i vërtetë, do të kishte një ndikim shumë negativ tek marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Ai bëri thirrje për sqarim të plotë nga autoritetet amerikane.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger e akuzoi Uashingtonin se po përdor metoda të Luftës së Ftohtë kundër aleatëve të tij, duke thënë se “ështe e pashpjegueshme që miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara t’i shohin evropianët si armiq”.

Disa kanë bërë thirrje për pezullimin e bisedimeve për marrëveshjen trans-atlantike të tregëtisë së lirë.

Dje e përjavshmja gjermane Der Spiegel njoftoi se Agjencia Kombëtare e Zbulimit kishte vendosur mikrofona në zyrat e Bashkimit Evropian në Washington, Kombet e Bashkuara dhe Bruksel, dhe kishte depërtuar në rrjetin e kompjuterave të BE-së, për të monitoruar mesazhe elektronike dhe dokumenta.

Artikulli citonte dokumente amerikane të siguruara nga ish-kontraktori i kësaj agjencie, Edward Snowden.
XS
SM
MD
LG