Lidhje

Dështojnë bisedimet e Stambollit për programin bërthamor të Iranit

  • Dorian Xhons

Dështojnë bisedimet e Stambollit për programin bërthamor të Iranit

Dështojnë bisedimet e Stambollit për programin bërthamor të Iranit

Bisedimet në Stamboll të Turqisë mes komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit lidhur me programin e tij bërthamor dështuan mes akuzave dhe kundërakuzave mes palëve. Dështimi i bisedimeve pritet të çojë në presione më të mëdha ndërkombëtare ndaj Iranit për aspiratat e tij bërthamore.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton u shpreh e irituar për dështimin e bisedimeve dy ditëshe, por tha se për këtë fajin e ka Irani.

"Ne shpresojnë të ndërmarrim një diskutim për mënyra më praktike për të shkuar përpara dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e këtij synimi. Kam mbetur e zhgënjyer dhe më duhet të them se kjo nuk u bë e mundur”.

Ashton udhëhoqi delegacionin e vendeve që njihen si P5+1, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania në negociatat me Iranin lidhur me programin e tij të energjisë bërthamore. Dyshohet se Irani e përdor programin për të ndërtuar një armë atomike, akuzë që Teherani e ka hedhur poshtë.

Takimi i Stambollit pasoi bisedimet e Gjenevës. Ashton tha se në ato bisedime palët ranë dakord se takimi i Stambollit do të përqendrohej në propozime të hollësishme. Gjatë dy ditë bisedimesh diskutimet u përqendruan në masat për krijimin e besimit që përfshinë edhe kompromisin se Irani do të shkëmbente një pjesë të uraniumit të gradës së ulët me karburant bërthamor për reaktorin e tij të kërkimeve. Tentativa për marrëveshje të ngjashme u bënë në vitet 2009 dhe 2010. Por Ashton tha se Irani kishte këmbëngulur në parakushte të papranueshme si heqja e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

"Ne shpresuam të zhvillonim diskutime të hollësishme me konstruktive për këto ide. Por u pa qartë se pala iraniane nuk ishte e gatshme për këtë, nëse ne nuk pranonim parakushtet lidhur me pasurimin e uraniumit dhe sanksionet. Të dy këto parakushte nuk janë mënyra për të shkuar përpara”.

Por kryenegociatori iranian, Seid Xhelili, tha se Irani shkoi në takimin e Stambollit me dëshirën e mirë, me një qendrim llogjik për bisedimet dhe se kërkesat e tyre nuk ishin të paarsyeshme.
Ai tha: “Ne duhet të respektojmë të drejtat ndërkombëtare dhe unë fola për të drejtat e njerëzve, këto nuik janë parakushte, ato janë kërkesa paraprake”.

Nuk është caktuar ndonjë datë për bisedime të reja, por Ashton tha se varet nga Teherani që të ndryshojë qendrimin e tij dhe se oferta që i është bërë atij qendron.

Vëzhguesit thonë se dështimi i bisedimeve të Stambollit pritet të çojë në thirrje të reja për masa të mëtejshme ndërkombëtare kundër Iranit. Por një zyrtar i lartë evropian në bisedime tha se është me rëndësi të ruhet qetësia dhe të qendrohet në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë.

XS
SM
MD
LG