Lidhje

Dështon “superkomisioni” për të arritur një marrëveshje mbi defiçitin


Dështon “superkomisioni” për të arritur një marrëveshje mbi defiçitin
Dështon “superkomisioni” për të arritur një marrëveshje mbi defiçitin

Një superkomision special i Kongresit amerikan njoftoi natën e mbrëmshme se nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje mbi shkurtimin e defiçitit federal amerikan me 1.2 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhëshme.

Pas muajsh të tërë pune dhe shumë pritjeje, nuk pati një konferencë të përbashkët për shtypin në ndërtesën e kongresit. Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reduktimin e Defiçitit, senatorja demokrate Patty Murray dhe ligjvënësi republikan Jeb Jensarling, publikuan një dekleratë me shkrim, që thotë se nuk do të ishte e mundur arritja e një marrëveshje dypalëshe para skadimit të afatit.

Në dekleratë thuhet se pavarësisht dallimeve të mëdha, paneli është i bashkuar në idenë se kriza fiskale e vendit duhet trajtuar dhe të mos i lihet gjeneratës që vjen.

Para njoftimit, ligjvënësit demokratë dhe republikanë patën filluar të fajësonin njëri tjetrin për dështimin.

Senatori demokrat John Kerry, anëtar i superkomisionit, tha se ishte vetëm një arësye për mos arritjen e marrëveshjes, duke theksuar refuzimin e republikanëve për të rritur taksat për amerikanët e pasur.

“Është këmbëngulja për zgjatjen e shkurtimit të taksave nga koha e Presidentit Bush për të pasurit që shumica e amerikanëve nuk mendon se duhet bërë.”

Ndryshimet ideologjike kanë bërë që republikanët dhe demokratët të mos pajtohen mbi mënyrën e reduktimit të defiçitit buxhetor të vendin gjatë pjesës dërmuese të vitit të kaluar. Demokratët refuzojnë të pranojnë shkurtime të mëdha të programeve sociale ndërkohë që republikanët refuzojnë të ngrenë taksat për amerikanët e pasur.

Senatori republikan Jeff Session, që nuk është pjestar i superkomisionit, tha për televizionin Bloomberg se asnjëherë nuk kishte patur shpresa të shumta për komisionin, i cili kryesisht u takua fshehurazi, për të trajtuar çështjet thelbësore të borxhit të vendit.

“Ajo që Kongresi duhet të bëjë është të përmbushë përgjegjësitë e tij që përmes një debati të hapur publik të trajtojë këto çështje, çështja më e rëndësishme e kohës tonë.”

Superkomisioni u krijua në gusht kur Shtëpia e Bardhë, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve nuk ishin në gjendje të zgjidhnin një mosmarrëveshje në rritjen e tavanit të huamarrjes.

XS
SM
MD
LG