Lidhje

Desmond Tutu, fituesi i çmimit Templeton


Kampioni i luftës kundër apartejdit shpallet fituesi i këtij viti për punën e tij shumëvjeçare në nxitjen e “dashurisë dhe faljes” mes njerëzve

Kampioni i luftës kundër apartejdit, Desmond Tutu, është fituesi për këtë vit i çmimit Templeton, për punën e tij shumëvjeçare në nxitjen e “dashurisë dhe faljes” mes njerëzve.

81-vjeçari Tutu ka qenë për vite me radhë një kundërshtar i zëshëm i sundimit të pakicës së bardhë në Afrikën e Jugut në vitet 1980 dhe ai fitoi Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1984, për kundërvënien ndaj qeverisë së apartejdit dhe padrejtësive të lejuara nën një sistemin racor.

John Templeton i biri, i Fondacionit Templeton, thotë se Tutu bën thirrje për përqafimin nga të gjithë të potencialit të madh njerëzor për t’u bërë mbështetës i progresit shpirtëror dhe ndryshimeve positive. Tutu do të marrë çmimin prej 1,7 milionë dollarësh në një ceremoni, e cila do të mbahet në Londër më 21 maj.

Ky çmim i ndahet çdo vit një personi, që “jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të theksuar dimensionin shpirtëror të jetës”. Çmimi Templeton u krijua në vitin 1972 nga biznesmeni John Templeton. Nënë Tereza ishte fituesja e parë e këtij çmimi në vitin 1973. Vitin e kaluar këtë çmim e mori udhëheqësi shpirtëror nga Tibeti, Dalai Lama.
XS
SM
MD
LG