Lidhje

Shkëlqimi dhe Rënia e Qytetit të Makinave

  • Kane Farabough

Nofkën e ka “Qyteti i Makinave,” por shumë nga fabrikat e makinave që i dhanë këtë emër Detroitit, është e vështirë të gjenden tani brenda kufijve të qytetit. Kriza financiare e Detroitit lidhet me eksodin e industrisë së makinave dhe pamundësinë e qytetit për të krijuar një shumë-llojshmëri ekonomike, një gjë që ndihmoi qytetet e tjera t’i shmangen falimentimit.

Në mesin e shekullit të XX-të, gjatë lulëzimit të Detroitit, kjo fabrikë prodhonte makina Packard dhe punësonte rreth 40,000 njerëz.

Premtimi i një page të mirë dhe i vendeve të punës nëpër fabrika të ngjashme rreth qytetit, tërhoqi njerëz si George McGregor, me origjinë nga shteti Tenësi, në vitet 1960. Sot, ai është presidenti i sindikatës së punonjësve të prodhimit të makinave në Detroit.

"Kur erdha për herë të parë këtu, në fabrikën e makinave i lutnin njerëzit që të vinin të punonin. Paga ishte pak a shumë 3 dollarë e një çerek për orë".

Por industria e makinave ndaloi së luturi njerëzit për të punuar kur kërkesat për makinat amerikane u ulën dhe u rrit interesi për makinat e huaja.

Firma Packard u zhduk dhe gumëzhitja e dikurshme e saj është zëvendësuar nga heshtja.

Këto ndërtesa të rrënuara janë pjesë e kompleksit më të madh industrial të boshatisur në botë. Ato simbolizojnë historinë e Detroitit, nga shkëlqimi në rënie.

"Kishte rreth 20 fabrika makinash dhe punëdhënës të mëdhenj, por me kalimin e kohës ato janë mbyllur dhe tani ka mbetur vetëm një", thotë ekonomisti Eric Scorsone, nga universiteti i Miçiganit.

Ai thotë se edhe pse firma General Motors krenohet me grupin më të shquar të ndërtesave në qendrën e Detroitit, industria e makinave tani luan një rol shumë më të vogël në ekonominë e qytetit.

"Në fakt, sektori i kujdesit shëndetësor është sektori me më shumë punëtorë në qytet sot".

Në vitet 1950, në Detroit kishte rreth 300,000 vende pune në industrinë e makinave dhe popullsia e qytetit ishte rreth 1,8 milion.

Sot, ka më pak se 27,000 vende pune në fabrikat e firmave Chrysler dhe General Motors dhe popullsia është pak më shumë se 700,000 banorë.

"Kemi tre kazino dhe dy fabrika makinash. Kaluam nga prodhimi industrial tek bixhozi për punë", thotë zoti McGregor.

Sindikata që drejtohet nga George McGregorit përfaqëson punonjësit në fabrikën Hamtramck (Hemtremik) të firmës General Motors që është ende e hapur. Ai thotë se shumë nga ata që punojnë aty nuk jetojnë në qytet.

"Në këtë fabrikë mendoj që rreth pesëdhjetë përqind jetojnë në qytetin e Detroitit dhe pesëdhjetë përqindshi tjetër jeton në zonat përreth".

Zoti McGregor thotë se ai kishte mundësinë të largohej kur të tjerët u larguan nga qyteti, por vendosi të qëndronte. Ai nuk pendohet për këtë vendim edhe pse tani lajmi ka dalë që qyteti ka falimentuar.

"Unë punova dhe jetova në këtë qytet, dhe planifikoj të qëndroj këtu, dhe shpresoj që gjërat të përmirësohen".

Ekonomistët thonë se ka mundësi që popullsia e Detroitit të mos arrijë kurrë majat e mëparshme. Dhe nëse qyteti rimëkëmbet, pas falimentimit, do të ketë nevojë ta ri-përcaktojë veten si diçka ndryshe nga “Qyteti i Makinave”.


XS
SM
MD
LG