Lidhje

Falimentimi i Detroitit. Ç'ndodh më pas?


.
.

Ekspertët krahasojnë rastin e Detroitit me qytete të tjera amerikane që kanë shpallur falimentin në të kaluarën

Detroiti, dikur qendra e begatë e industrisë automobilistike amerikane, ka falimentuar. Ai është bërë kështu qyteti më i madh në historinë e Shteteve të Bashkuara që kërkon mbrojtje nga kreditorët, ndërsa negocion një plan riorganizimi. Problemet e Detroit pasqyrojnë humbjen e vendeve të punës bashkë me një pjesë të mirë të popullatës gjë që solli edhe humbjen e të ardhurave nga taksat. Por si e krahasojnë ekspertët Detroitin me qytetet e tjera me probleme financiare.

Detroiti ishte dikur një qytet i lulëzuar prej 1.8 milion banorësh, por ndryshimet ekonomike globale i kanë dhënë atij një goditje të rëndë. Sot popullsia e tij mezi arrin në 700 mijë. Gati një e katërta e ndërtesave janë të braktisura dhe në gjendje të keqe.

Megjithëse ky nuk është qyteti i parë amerikan që kërkon mbrojtje ligjore, ekspert i falimenteve, Paul Maco, i firmës Bracewell Giuliani, thotë se problemet e Detroitit janë më të mëdha se me cilindo rast të ngjashëm.

"Në përbërjen industriale të vendit dhe të rajonit kanë ndodhur ndryshime të mëdha si plakja e fuqisë punëtore dhe rënia e bazës tatimore. Mund të bësh një listë të gjatë të problemeve që kanë hasur qytetet në kohë, por Detroiti i ka të gjitha këto probleme."

Para Detroitit ka patur disa qytete që kanë shpallur falimentin, por borxhet e tyre kanë qenë më të vogla. Stocktoni i Kalifornisë kishte një borxh prej 26 milionë dollarësh, ndërsa borxhi i Detroitit është 18 miliard e gjysmë.

Nëse gjykata e pranon falimentin, atëherë një gjyqtar do të përcaktojë se kush do të paguhet.

"A do të paguhen ata që kanë letra me vlerë, pensionistët, sindikatat? Ky është në fakt fillimi i një procesi i cili mund të kërkojë vite," thotë Tracy Gordon bashkëpunëtore në Institutin Brookings.

Edhe pse kryebashkiaku i Detroitit premton se shërbimet bazë do të vazhdojnë, zonja Gordon thotë se banorët e Detroitit qysh tani janë duke paguar për keqmenaxhim financiar të qytetit.

"Ju mund ta shikoni edhe në lajmet: që të arrijë makina e policisë duhen 58 minuta, ose 5 herë më shumë se mesatarja e vendit, qyteti ka 78 mijë ndërtesa të braktisura, pra qysh tani taksapaguesit po mbajnë barrën e kostos, përmes rënies së cilësisë së jetesës."

Ekspertët mendojnë se problemet e Detroitit mund të shkaktojnë një eksod të mëtejshëm të njerëzve dhe bizneseve. Por sipas ekspertit Paul Maco, procedura e falimentit mund t'i sjellë një të ardhme më të mirë qytetit.

"Kjo është një nga të mirat që mund t'i ofrojë Detroitit falimenti, pra një shans për të përqëndruar energjitë dhe forcat dhe për të bërë pyetjen: si do të vazhdojmë të ecim përpara në pjesën tjetër të këtij shekulli?"

Që nga viti 2010, vetëm gjashtë qytete amerikane e kanë përballuar me sukses falimentin. Por nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Detroitit kanë mundur të mësojnë nga këto përvoja, sepse madhësia dhe natyra e problemeve që ata kanë ndryshojnë me qytetet e tjera.
XS
SM
MD
LG