Lidhje

Përpjekje për pastrimin e Detroitit


Detroiti i Miçiganit, i njohur si “Qyteti i Makinave” dhe qendra e tre kompanive më të mëdha amerikane të prodhimit të makinave po përjeton një rënie ekonomike pas një eksodi të ngadaltë të popullsisë së qytetit. Ata që janë larguar kanë lënë pas shtëpi të pabanuara që janë dëmtuar nga zjarri, vandalizmi, dhe neglizhenca, duke ia ndryshuar imazhin botëror Detroitit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, një burrë i ngopur nga gjendja e zymtë po drejton një ekip vullnetarësh për pastrimin e qytetit të tij.

Nëse plehrat e një njeriu janë thesari i një tjetri, atëherë lagja Brightmoor e Detroitit është minierë ari për John George-in.

“Unë e shoh Detroitin nëpërmjet syzeve rozë. Kam kaluar gjithë jetën këtu. Qyteti ynë e ka vënë botën në rrota. Kemi qenë arsenali i demokracisë që ndihmoi në fitimin e Luftës së Dytë Botërore. Ne e kemi mësuar botën me prodhimet tona të makinave. Pra, unë kam respekt dhe dashuri të thellë për qytetin . Nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se sa poshtë kemi rënë”.

Për John George dritaret e thyera dhe shtëpitë e djegura sjellin kujtimet e së kaluarës. Ai ka kaluar fëmijërinë e tij këtu, kur shtëpitë dhe rrugët ishin të mbushura me njerëz. Zoti George thotë se njerëzit filluan të largohen në prag të trazirave vdekjeprurëse të Detroitit në vitin 1967, dhe eksodi nuk është ndalur.

“Mund t’i hidhet faji trazirave, embargos ndaj naftës, racizmit, trazirave në periferi të qytetit. Ekzistojnë shumë arsye për këtë eksod. Mendoj se në këtë pikë ato nuk janë të rëndësishme. Tani duhet të shikojmë se ç'duhet bërë”.

Tani, lagjia e John-it ka filluar të ringjallet, falë punës së vullnetarëve që ai i ka organizuar për të ndryshuar rrethanat.

“Zymtësia është si kanceri dhe nëse nuk eliminohet tërësisht ajo përhapet dhe shkatërron gjithçka”.

“Fundjavën e kaluar të rinjtë luanin mbi atë verandë të lartë. Sot, për shkak të gjendjes së ndërtesës, ne do ta heqim atë dhe do të përmirësojmë gjithçka”.

Në 25 vjetët e fundit, John George ka rrafshuar ose riparuar dhjetëra ndërtesa, duke i zëvendësuar fushat e shkatërruara me hapësira të gjelbëra. Pavarësisht nga vështirësitë, ai refuzon të heqë dorë nga përpjekjet e tij.

“Njerëzit që kanë mbetur në Detroit e duan atë me shpirt. John George është i pari prej tyre dhe unë nuk mund ta imagjinoj Deotritin pa atë”.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Brightmoor Alliance, Kirk Mayes thotë se njerëzit dalëngadalë kanë filluar të kthehen falë punës së John George-it.

“Një njeri me një mision, entuziazëm dhe zemër si të John George-it, rrallëherë tërheq vëmendjen e të tjerëve ashtu siç ka bërë ai”.

Udhëheqësit e biznesit në Detroit kanë marrë njoftimin nga organizata e sapo formuar jo-fitimprurëse Detroit Blight Authority e cila po kërkon fonde për realizimin një objektivi ambicioz për heqjen e rreth 13 mijë strukturave në vit. Nëse realizohet me këtë ritëm, brenda pesë viteve ky projekt mund të eliminojë plotësisht ndërtesat e shëmtuara në Detroit.
XS
SM
MD
LG