Lidhje

India u kërkoi SHBA mbylljen e çështjes së diplomates, Devyani Khobragade


Ministri i Jashtëm i Indisë Salman Khurshid u kërkoi Shteteve të Bashkuara ta mbyllin çështjen ndaj diplomates indiane, e cila u arrestua në New York, nën akuzat për mashtrime me vizën. Zoti Khurshid tha se India nuk është e bindur që Shtetet e Bashkuara kanë arsye për arrestimin e diplomates Devyani Khobragade, për të cilën ai tha se është trajtuar si kriminele.
Ministri i Jashtëm indian tha se ka kërkuar që të gjitha akuzat ndaj saj të hiqen pa humbur kohë dhe se ai do të fliste për këtë çështje sot me sekretarin Kerry.
39-vjeçarja Khobragade akuzohet se ka bërë deklarata të rreme në kërkesën për vizë, për një shtetase indiane, që ajo e solli në Shtetet e Bashkuara për të punuar si ndihmëse në shtëpinë e saj.
Të mërkurën, prokurori i Manhatanit në Nju Jork, Preet Bharara, përmes një deklarate theksonte se diplomatja Khobragade u trajtua më mirë se sa ç’trajtohen të pandehur të tjerë, shumica amerikanë, në situata të ngjashme.
Prokurori nga ana tjetër shtron pyetjen se përse ndjenjat e keqardhjes për diplomaten në Indi janë më të mëdha, se sa për gruan që punonte si ndihmëse për të, e cila sipas akuzës, është paguar vetëm një-të-tretën e pagës që diplomatja Khobragade ka raportuar tek autoritetet amerikane.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry bisedoi në telefon me zyrtarë të lartë indianë për të kërkuar ndjesës për incidentin.
Në një e-mail të botuar të mërkurën, diplomatja Khobragade vinte në dukje se pas arrestimit më 12 dhjetor ajo u prangos dhe iu nënshtrua një kontrolli të imtë fizik, ndërsa mbahej e arrestuar nën akuzat për mashtrim me vizat.
XS
SM
MD
LG