Lidhje

A është e mundur të matet dhimbja?


Një ekip shkencëtarësh amerikanë njoftoi se ishte në gjendje të “shihte” dhimbjen përmes skanerave të trurit, të maste instensitetin e saj si dhe të tregonte nëse ilaçet për uljen e dhimbjeve funksiononin ose jo. Megjithëse kërkimet janë në fazat e para, kjo gjetje hap shtegun për mundësi të shumta.

Kërkimet u drejtuan nga neuroshkencëtari Tor Wager i Universitetit të Kolorados në Boulder dhe u publikuan në Revistën Mjekësore New England.

Shumë studime kanë vërtetuar se disa zona të trurit reagojnë kur trupi ka dhimbje, por zbulimi i ri është hapi i parë për të ndërtuar një skemë të përgjithshme të këtyre sinjaleve që mund të përdoret për të matur dhimbjen.

“Nuk jemi të parët që përpiqemi të parashikojnë dhimbjen me anë të aktivitetit të trurit. Por është hera e parë që kemi gjetur një veçori e cila është specifike për dhimbjen fizike dhe nuk lidhet me shqetësimet emocionale.”

Deri tani, shkencëtarët kanë matur dhimbjen në lëkurë si për shembull nxehtësia mbi krahun. Priten më shumë studime për shqetësime të zakonshme si dhimbjet e kokës, të shpinës apo dhimbjet nga sëmundjet.

Ekspertë të pavarur thonë se kërkimet tregojnë një mënyrë për të matur me objektivitet diçka që është mjaft subjektive në jetën e njeriut. Skanime të tilla mund të përdoren një ditë për të treguar kur një bebe ka dhimbje, apo nëse një njeri i paralizuar e ka të pamundur të flasë. Kjo mund të çojë në gjetjen e ilaçeve të reja për dhimbjet.

Dhimbjet janë arsyeja kryesore që njerëzit shkojnë tek mjeku dhe nuk ka asnjë mënyrë për përcaktimin e shkallës së tyre.

Një sfidë e madhe për neuroshkencën është gjetja e mënyrave që mund të ndihmojnë në diagnostikimin e sëmundjeve me komponent fizikë dhe mendorë si dhimbjet, depresioni apo çrregullimet pas traumës.

Zoti Wager thotë se gjetjet mund të ndihmojnë shkencëtarët që të testojnë efektshmërinë e ilaçeve apo terapive të ndryshme për dhimbjet.

Studimi u zhvillua përmes katër eksperimenteve në Universitetin Kolumbia me 114 individë. Ata u testuan me një element të nxehtë të vënë mbi parakrah në temperatura të ndryshme por jo aq të mëdha sa për të shkaktuar diegie. Aparatet magnetike regjistruan ndryshimet në aktivitetin e trurit dhe të dhënat u analizuan me kompjuter.

Studiuesit gjetën se reagimet e trurit në rastin e dhimbjeve emocionale dallonin nga reagimet për dhimbje fizike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG