Lidhje

Dhjetëra aksidente në rrugët e Shqipërisë


Dhjetëra aksidente në rrugët e Shqipërisë
Dhjetëra aksidente në rrugët e Shqipërisë

Aksidentet rrugore vazhdojnë të tronditin Shqipërinë gjatë muajve të verës, me humbje të mëdha jetësh njerëzore. Sipas të dhënave ende të pjesëshme të policisë, nga qershori deri në 20 gusht kanë ndodhur 497 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 73 qytetarë dhe janë plagosur disa qindra të tjerë.

Ekspertët vlerësojnë se shkaqet kryesore të këtyre aksidenteve janë euforia e shoferëve nga emigracioni, shpejtësia e madhe, alkooli, numri i madh i automjeteve, mungesa e tabelave dhe mospërqëndrimi në trafikun e dendur.

Statistikat kufitare tregojnë se gjatë korrikut hynë në Shqipëri nga emigracioni 60 mijë automjete më shumë dhe 100 mijë persona më shumë se një vit më parë.

Ky numër i madh automjetesh u shtohet befas trafikut të rënduar vendas dhe rrugëve të Shqipërisë, një pjesë në ndërtim e sipër dhe pjesa tjetër të reja e të gjera, që nxitin shoferët e rinj për të ecur me shpejtësi. Infrastruktura rrugore po përmirësohet me kalimin e viteve, por shoferët dhe këmbësorët vazhdojnë të abuzojnë me kushtet e reja.

Drejtuesit e policisë pohojnë megjithatë se sivjet ka një ulje të ndjeshme të viktimave në aksidente rrugore. Nëse sivjet kanë vdekur 73 qytetarë, verën e kaluar humbën jetën 120 persona.

Vetëm gjatë këtij korriku kishte 25 të vrarë më pak se korriku i kaluar, po ashtu me ulje të ndjeshme vdekjesh është edhe gushti që nuk është mbyllur ende. Drejtuesit e policisë ia dedikojnë këto shifra të përmirësuara punës së madhe që po bëjnë patrullat e policisë rrugore.

Policia po drejton trafikun e rënduar me sakrifica në zonat bregdetare dhe në zonat me rrugë të dëmtuara. Policët po punojnë këtë vit me të njëjtat automjete, radarë dhe ndërlidhje, por kanë patur një organizim më të mirë.

Policia rrugore ka vendosur disa mijëra gjoba për tejkalim shpejtësie, përdorim alkooli dhe shkelje tabelash, por nga ana tjetër kanë drejtuar 24 orë pa ndërprerje fluksin e madh të automjeteve në akset kombëtare dhe në kryqëzimet më të rëndësishme. '

Ky vit shënon ulje të shifrave, ndërsa viti 2010 mbetet viti me numrin më të madh të aksidenteve dhe personave të dëmtuar. Sipas statistikave policore, në periudhën qershor - gusht 2010 kanë ndodhur 456 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën 120 persona.

Por INSTAT thotë se gjatë gjithë vitit 2010 kanë ndodhur 1 mijë e 564 aksidente rrugore me 353 të vdekur dhe 1 mijë e 700 të plagosur. Mesatarisht kanë qenë 39 aksidente për çdo 10 mijë automjete. Historikisht, viti me shifrat më të ulta është viti 2002, ku ka pasur 328 aksidente rrugore.

XS
SM
MD
LG