Lidhje

Dhjetëra të vrarë nga përmbytjet në Indi


Në Indi, në pjesën verilindore dhe lindore të vendit ka patur përmbytje të mëdha, të shkaktuara shkaktuara nga shirat dhe vërshimi i lumenjve. Miliona njerëz kanë mbetur pa strehë. Ministri i brendshëm i Indisë Rajnath Singh tha se autoritetet kanë bërë një studim nga ajri të rajoneve të prekura nga përmbytjet në shtetin verilindor të Asamit.

Erozioni i tokës në shumë vende i ka detyruar fshatarët të zhvendosen nëpër kampe strehimi.

" Njerëzit kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve. Të paktën 50-60 shtëpi janë përmbytur nga vërshimi i lumit. Njerëzit janë futur nëpër kampe", thotë ky banor i qytetit Chirang.

Shirat e pandërprerë gjatë këtij muajit kanë përmbytur qindra fshatra, duke shkaktuar zhvendosjen e mijëra njerëzve në shtetin e Asamit, të pasur me naftë dhe të njohur për kultivimin e çajit.

Edhe pse intensiteti i reshjeve filloi të bjerë të shtunën, zyrtarët thonë se niveli i ujit nëpër lumenj është ende tepër i lartë.

Autoritetet kanë hapur më shumë se 800 qendra të përkohshme strehimi, qendra të shpërndarjes së ushqimit dhe ilaçeve përreth rajoneve të prekura nga përmbytjet, tha një zyrtar i shtetit të Asamit.

Të paktën 175 mijë njerëz në zonën fqinje të Meghalaya-s janë prekur nga përmbytjet.

Në vitin 2014, ky rajon ishte përfshirë nga përmbytjet më të mëdha, ku humbën jetën 90 njerëz.

Në rrethin lindor të Biharit, shtëpitë janë përmbytur dhe njerëzit po përdorin barkat për të lëvizur.

"Jemi të frikësuar se mund të mbytemi. Unë kam fëmijë të vegjël dhe nuk e di se si do t’i largoj ata nga ky vend. Jemi të frikësuar të udhëtojmë me barka pasi ato mund të mbushen me ujë nga reshjet," thotë një banor i shtetit të Biharit.

Administrata lokale u ka bërë thirrje njerëzve të prekur nga përmbytjet që të zhvendosen në zona më të larta.

Përmbytjet janë një problem i përvitshëm gjatë sezonit të shirave munsone në Azinë Jugore, por pasojat e tyre janë shtuar për shkak të përkeqësimit të infrastrukturës, bllokimit të kanaleve të kullimit dhe zgjerimit të pakontrolluar të zonave urbane.

XS
SM
MD
LG