Lidhje

Dhjetra mijëra protestojnë në Moskë kundër manipulimeve zgjedhore

  • Zëri Amerikës

Dhjetra mijëra protestojnë në Moskë kundër manipulimeve zgjedhore

Dhjetra mijëra protestojnë në Moskë kundër manipulimeve zgjedhore

Dhjetra mijëra demonstrues u mblodhën sot në kryeqytetin rus - protesta më e madhe deri tani kundër manipulimeve në zgjedhje. Protestat në Moskë dhe në qytete të tjera të Rusisë sinjalizojnë zemërimin në rritje ndaj qeverisjes mbi 12-vjeçare të kryeministrit Vladimir Putin.

Demonstrata në Moskë ishte edhe më e madhe se sa një protestë e ngjashme dy javë më parë, edhe pse mitingjet e zhvilluara po sot në disa qytete të Lindjes së Largët dhe të Siberisë tërhoqën shumë më pak njerëz se më 10 dhjetor.

"Situata po ndryshon. Kur njerëzit dalin në rrugë situata ndryshon. Autoritetet kanë filluar të shqetësohen. Mendoj se protesta e sotme do të japë një impuls edhe më të madh për ndryshim," thotë Geri Kasparov, udhëheqës i opozitës dhe ish-kampion i shahut.

Në qytetin e dytë më të madh të vendit, Shën Petersburg disa qindra protestues u mblodhën në Sheshin Pionerskaya për të shprehur zemërimin ndaj asaj që ata e quajnë manipulim në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit.

Demonstratat e sotme janë manifestimi më i madh i pakënaqësisë që ka parë Rusia që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Pjesëmarrësit në tubimin e Moskës mbushën një bulevard të gjerë, rreth 2.5 kilometra larg Kremlinit duke thirrur "Rusia pa Putinin!"

Kordone të dëndura të policisë rrethuan protestuesit, të cilët qëndronin prapa barrierave metalike, ndërkohë që një helikopter fluturonte mbi kokat e tyre.

Protestat e fundit në Moskë dhe qytete të tjera kanë krijuar të çara në autoritetin e zotit Putin, i cili kërkon të rimarrë presidencën në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars.

Kremlini ka reaguar duke premtuar një seri reformash politike, të cilat lejojnë më shumë konkurrencë politike në zgjedhjet e ardhshme.

Por udhëheqësit e protestës thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare dhe ndëshkimin e zyrtarëve të akuzuar për manipulime.

XS
SM
MD
LG