Lidhje

Masat antiformalitet, Dhoma Amerikane e shqetësuar

  • Armand Mero

Shqipëri, operacioni i qeverisë kundër ekonomisë informale dhe forcimi i ndëshkimeve, sipas Dhomës “kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre”

Në Shqipëri Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehur shqetësim për ndikimin e operacionit të ndërmarrë nga qeveria për të luftuar informalitetin e ekonomisë dhe masat e rrepta ndëshkuese të parashikuara të cilat sic theksohet në një deklaratë të saj “kaluan pa një diskutim paraprak me organizatat e biznesit”. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë “efektet anësore të këtij aksioni kanë filluar të ndihen te biznesi duke dhënë një efekt të kundërt nga sa pritej”, ndërsa shton se “shqetesimi ynë është se ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin duke i prerë rrugëtimin bizneseve të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë”.

Që prej muajit shtator autoritetet kanë nisur një operacion të shtrirë në të gjithë vendin, duke e shoqëruar ata me ndryshime në Ligjin për Procedurat Tatimore të cilat parashikojnë masa shumë të forta ndëshkuese, përmes gjobave të rënda. Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se “masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Gjobat dhe penalitetet duhet të jenë në proporcion me nivelin e biznesit. Në të gjithë botën gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milion lekë nuk mund të gjobitet 10 milion lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit”. Sipas saj “bëhet fjalë për kategori biznesi të cilat nuk kanë edukimin e mirëfilltë fiskal, nuk kanë mundësinë financiare të kenë ekspertizë në dispozicion, dhe ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore janë zbatuar pa ju lënë kohën e nevojshme që t’i njohin dhe t’i zbatojnë”.

Dhoma Amerikane vëren se “në ligj nuk parashikohen po të njëjtat masa drastike për punonjësit tatimore të cilëve ndërkohë ju është lënë një liri e autoritet i pakufishëm në interpretimin dhe zbatimin e këtyre masave duke rritur ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit dhe duke ndikuar, për rrjedhojë, negativisht në luftën kundër informalitetit”. Në deklaratën e saj shpjegohet se dhe më herët në kërkesat për Paketën Fiskale 2016, “Dhoma Amerikane ka argumentuar se lufta kundër informalitetit fillon si një reformë e menduar mirë, mbështetur në politika fiskale lehtësuese, me taksa të ulëta që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale, krijojnë një klimë të qëndrueshme duke rritur investimet e huaja, hapin tregjet vendase duke u bërë të konkurrueshëm në Rajon, dhe për rrjedhojë i japin ekonomisë impulse pozitive”.

XS
SM
MD
LG