Lidhje

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miraton financimin e qeverisë federale edhe për tre javë

  • Sindi Sejn

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miraton financimin e qeverisë federale edhe për tre javë

SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miraton financimin e qeverisë federale edhe për tre javë

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar një masë të përkohshme për vazhdimin e financimit të qeverisë federale edhe për tri javë të tjera, në përpjekje për të mënjanuar bllokimin e qeverisë në mesnatë të ditës së premte. Por 54 ligjvënës republikanë votuan kundër masës së propozuar nga vetë udhëheqja republikane, duke dërguar kështu një mesazh të qartë se ata janë të lodhur me masa të përkohshme buxhetore.

Votimi ishte 271 vota pro dhe 158 kundër masës për financimin e përkohshëm të qeverisë federale, e cila sanksionon shkurtimet me 6 miliard dollarë për programet që nuk i përkasin mbrojtjes gjatë tri javëve të ardhshme.

Demokratët dhe Republikanët janë përfshirë në një betejë epike gjatë muajve të fundit mbi shpenzimet qeveritare, duke mos rënë dakord se cilat programe qeveritare duhen shkurtuar dhe sa duhen shkurtuar. Shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve është në favor të shkurtimeve më të mëdha sesa Presidenti Barak Obama dhe Senati i kontrolluar nga partia e tij demokratike. Por mendimet e demokratëve dhe republikanëve përputhen në një pikë të vetme se amerikanët janë të lodhur me masa të përkohshme buxhetore.

Ligjvënësi demokrat Xhim Moran i shtetit Virxhinia:

“Kjo nuk është mënyra e duhur për të qeverisur. Duke u tundur para e mbrapa si një marinar i dehur, agjencitë duke mos e ditur nëse do të financohen apo jo. Faktikisht më duhet ta tërheq thënien time sepse marina kurrë nuk do të ndërmerrte operacione të tilla.”

Republikani Harold Roxhers po i shtetit Virxhinia ishte dakord dhe nuk i pëlqente masat e përkohshme dy-tri javore por tha se është koha për Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin që të veprojnë.

“Është një mënyrë e jashtëzakonshme e të bërit biznes dhe kjo duhet të jetë masa e fundit e përkohshme që miratojmë para se të arrijmë një marrëveshje me Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë për financimin e pjesës tjetër të vitit.”

Votimi i së martës ishte hera e gjashtë që Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar masa të përkohshme buxhetore për financimin e qeverisë federale për vitin fiskal 2011. Muajin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një masë që do të shkurtonte 60 miliard dollarë nga shpenzimet qeveritare për vitin aktual, por masa u mposht në Senat.

Por një numër në rritje ligjvënësish republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, kryesisht pjesa e mbështetur nga konservatorët fiskalë të lëvizjes "Tea Party", po bëjnë thirrje për shkurtime edhe më drastike të shpenzimeve dhe dhënien fund të masave të përkohshme buxhetore.

Disa kërkojnë që t’u japin fund transmetimeve publike dhe të ndërpresin financimin e reformës financiare të Presidentit Obama të miratuar vitin e kaluar.

Republikani Majk Pens i shtetit Indiana ishte njëri nga 54 republikanët që votuan kundër masës të martën, duke thënë se vendi përballet me një krizë deficiti të përmasave të papara dhe se është koha që ligjvënësit të ndërmarin një qëndrim për taksapaguesit amerikanë. Ndërkohë, vëmendja është përqendruar tek Senati, i cili ka kohë deri të premten që të miratojë të njëjtën masë të përkohshme buxhetore që qeveria federale të vazhdojë punën edhe përtej së premtes, të paktën derisa masës së fundit t’i dalë afati më 8 prill.

XS
SM
MD
LG