Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton legjislacionin për tavanin e borxhit

  • Cindy Saine

Dhoma e Përfaqësuesve miraton legjislacionin për tavanin e borxhit

Dhoma e Përfaqësuesve miraton legjislacionin për tavanin e borxhit

Vëmendja ishte në Dhomën e Përfaqësuesve ndërkohë që kryetari republikan i këtij organi, John Boehner, lexoi pjesmarrjen në votimin përfundimtar për të rritur tavanin e huamarrjes dhe menjanuar falimentimin.

”Pro kanë votuar 269 dhe kundër 161. Projekligji është miratuar dhe pa kundërshtim një mocion për rishqyrtim është hedhur në tryezë.”

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve patën një surprizë për ta bërë votimin edhe më të rendësishëm, sikurse spjegoi udhëheqësja demokrate e pakicës Nancy Pelosi.

“Për të dëshmuar rikthimin e koleges tonë e cila është personifikim i kurajos, sinqeritetit dhe admirimit në mbarë vendin, ligjvënësja Gabby Giffords.”

Ligjvënësja Gabrielle Giffords e Arizonës u qëllua dhe mori një plagë të rëndë në janar gjatë një përpjekje për atentat dhe që nga ajo kohë ajo ka qënë duke u kuruar. Ishte hera e parë që ajo merrte pjesë në punime që nga atentati. Zonja Giffords i përshëndeti me dorë dhe falenderoi kolegët e saj ligjvënës, të cilët e nderuan atë duke u ngritur në këmbë dhe brohoritur. Përmes një deklerate, ajo tha se donte të kthehej në Kongres për të votuar për legjislacionin e tavanit të huamarrjes.

Pas disa javë negociatash ndërmjet presidentit demokrat Barack Obama dhe udhëheqësve republikan në kongres për të hartuar një marrëveshje për të rritur kufizimin e huamarrjes federale, vëmendja kaloi të henën tek demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët nuk ishin të kënaqur me marrveshjen e hartuar mbrëmjen e së dielës. Një pikë kthese mund të ketë qënë kur udhëheqësja e pakicës, demokratja Nancy Pelosi dhe ligjvënësi Steny Hoyer dolën në mbështetje të projekligjit në sallën e Kongresit. Ja çfarë tha zoti Hoyer.

“Po votoj për këtë legjislacion, jo sepse më pëlqen, megjithëse mendoj se i bën disa gjëra të cilat duhen bërë. Ne duhet të zvogëlojmë defiçitin, ne duhet të trajtojmë borxhin kombëtar, ne duhet të kthehemi tek përgjegjësitë fiskale. Por, falimentimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është një alternativë.”

Legjislacioni dypalësh do të rrisë tavanin e huamarrjes me më shumë se 2 trilion, shumë e mjaftueshme për të siguruar shlyerjet financiare të qeverisë federale deri pas zgjedhjeve të përgjithëshme të vitit të ardhëshëm, diçka e kërkuar prej presidentit. Po ashtu, legjislacioni kërkon dy raunde shkurtimesh të shpenzimeve.

Disa demokrat liberal thanë se nuk mund të mbështesnin legjislacionin sepse mendojnë se është i pabalancuar, duke shkurtuar programet sociale për pjesën e varfër të vendit dhe duke mos kërkuar asgjë nga taksapaguesit më të pasur amerikan. Ata thanë se Presidenti Obama kishte bërë kompromis shumë të madh për të fituar mbështetjen e konservatorëve dhe lëvizjes Tea Party.

Ndërsa në anën tjetër, disa pjestarë republikanë të Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve shprehën disa shqetësime rreth shkurtimeve të mundëshme në shpenzimet e mbrojtjes. Para votimit, ligjvënësi republikan David Dreier u bëri apel ligjëvënësve të dy partive që të votonin për legjislacionin.

“Zoti kryetar, të gjithë prekemi nga kjo si demokratët ashtu edhe republikanët. Ne të gjithë do të vuajmë jashtëzakonisht nëse dështojmë të rrisim tavanin e huamarrjes apo të shfrytëzojmë këtë rast që të ndryshojmë rrënjësisht kursin.”

Kompromisi i tavanit të borxheve përballet sot me pengesën finale gjatë një votimi të planifikuar në Senat, ku analistët thonë se mesa duket do të miratohet dhe ti kalojë presidentit për ta firmosur.

XS
SM
MD
LG