Lidhje

Dhuna ndaj grave në Shqipëri


Dita Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave e gjeti Shqipërinë me të parin burgim afatgjatë të një burri që vrau bashkëshorten. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të premten të burgosë 35 vjet një bashkëshort për vrasjen e nuses së tij vetëm 18 vjeçare. Ndërsa për dhunën ndaj grave një duzinë burrash të tjerë janë dënuar me burgime të shkurtra dhe me disa vite kohë prove për të mos e përsëritur dhunën. Studiuesit pohojnë se një sfidë kryesore mbetet zbatimi nga policia i urdhërave të mbrojtjes që gjykata ka nxjerrë për zonjat.

Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare publikoi sot një studim mbi gjykatat nga doli që më shumë se gjysma e padive për zgjidhjen e martesave bëhen nga zonjat; pra ato kanë tani më shumë kurajo për të denoncuar dhunën, nga 55 për qind në Tiranë, 61 për qind në Shkodër. Shqetësim kryesor mbetet një vendim gjykatës së lartë, sipas të cilit gratë e divorcuara nuk mund të përfitojnë nga ndarja e shtëpive, kur ato janë regjistruar në hipotekë, por Shqipëria ka mbi 250 mijë ndërtime pa leje, dhe kjo është një humbje shumë e madhe për gruan shqiptare.

Krahas dhunës, sipas studimit, baballarët shfaqin një papërgjegjshmëri të madhe ndaj detyrave familjare. Rreth 60 për qind e familjeve të divorcuara kanë fëmijë dhe në 90 për qind të rasteve fëmijët u lihen nënave; janë ato që marrin përgjegjësinë prindërore, por ato pas divorcit vuajnë shumë për strehim, punësim dhe fonde për mirërritjen dhe shkollimin e fëmijëve.

Studimet kanë nxjerrë gjithashtu si përfundim që burrat janë shumë aktivë në ushtrimin e dhunës ndaj grave, por pastaj janë shumë pasivë në gjyqet për ndarjen e martesës, në ndarjen e pasurisë dhe për financimin e fëmijëve. Bashkëshorti mungon në shtëpi, por edhe në këto procese gjyqësore.

Pothuaj të gjithë burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave përfitojnë shumë nga heshtja e tyre shumëvjeçare, nga falja e tyre në gjykatë dhe nga tërheqja e padive gjyqësore nga gratë, me shpresën se ata do t'i kthehen jetës normale në familje. Mbi 20 për qind e padive për divorc nga gratë mbyllen me vendim pushimi nga gjykata pasi çifti pajtohet me mirëkuptim, falë tolerimit të zonjave. Por dhuna vazhdon pjesën tjetër, pra për 80 për qind të rasteve të tërhequra, dhe ato rikthehen për herë të dytë e tretë nëpër gjyqe dhune e divorcesh.

XS
SM
MD
LG