Lidhje

Dhuratat për fëmijët e varfër dhe të pastrehët me rastin e festave

  • Mike O'Sullivan

Dhuratat për fëmijët e varfër dhe të pastrehët me rastin e festave

Dhuratat për fëmijët e varfër dhe të pastrehët me rastin e festave

Sezoni i festave të fundvitit për shumë amerikanë është një periudhë për të dhuruar dhe për të ndihmuar ata njerëz që janë me të pafatë. Mike O'Sullivan i Zërit të Amerikës njofton lidhur me disa grupe donatore, që ofrojnë shërbime për të varfërit dhe të pastrehët në Los Angeles.

Qindra fëmijë në këtë lagje të varfër shkojnë në këtë mbrëmje vjetore me rastin e festave në Institutin e Fëmijëve, një shoqëri bamirëse. Ata takojnë plakun e Vitit të Ri dhe marrin dhurata nga kompania e lodrave Mattel dhe kompani të tjera.

Mary Collins, tani në pension, ka punuar si zyrtare e lartë për një firmë biznesi dhe shërben si vullnetare në bordin e Institutit të Fëmijëve. Ajo thotë se mbrëmja është pika kulmore e vitit për këta fëmijë.

"Këta fëmijë nuk kanë fatin të gjejnë dhurata poshtë pemës në mëngjesin e Krishtlindjeve. Dhe si rezultat i dhuratave nga gjithë këto kompani dhe njerëzit, që bëjnë punë vullnetare, ata vijnë këtu marrin një dhuratë ose edhe një libër si dhe argëtohen për disa orë".

11 vjeçarja Katherine Martinez vjen këtu shpesh për programe pas shkollore, ndërsa nëna e saj Rosa ndjek një kurs mbi aftësitë si prind. Rosa Martinez thotë se nënat dhe fëmijët argëtohen gjatë kësaj mbrëmjeje.

"Këtu ne kalojmë mirë; fëmijët marrin dhurata dhe kënaqen me shokët dhe shoqet e tyre dhe me njerzit e tjerë përreth nesh".

Mbrëmja ofron për këta fëmijë një mundësi që të harrojnë për një kohë të shkurtër problemet shoqërore me të cilat përballen në lagjet ku banojnë, thotë Nina Revoyr e Institutit të Fëmijëve.

"Dhuna në komunitet, gjërat që ndodhin në lagjet e tyre, si abuzimi dhe neglizhenca e fëmijëve si dhe dhuna në familje. Kemi edhe fëmijë të traumatizuar nga gjëra të tmerrshme që kanë ndodhur në familjet e tyre".

Në një pjesë tjetër të qytetit e njohur si Skid Row, persona të pastrehë kanë gjetur banim në një kompleks të vogël, ku vullnetarë të komunitetit ofrojnë ushqime dhe ndihma të tjera.

Të pastrehët vijnë në Misionin e Los Anxhelosit, një organizatë fetare bamirëse, për t’u strehuar dhe për të marrë ushqim. Të papunët mund të kërkojnë punë në internet.

Jason Hemming ishte i pastrehë, por mori ndihmë nga ky mission. Ai thotë se gjatë sezonit të Krishtlindjeve jeta nëpër rrugë është shumë e vështirë.

"Gjatë Krishtlindjes ke më shumë mall për familjen, vitet e fëmijërisë, të kujtosh ditët kur hapje dhuratat poshtë pemës së Krishtlindjeve".

Të pastrehët jetojnë në një botë krejt ndryshe nga ata njerëz që presin dhurata të shtrenjta me rastin e festave, thotë presidenti i misionit, Herb Smith. Ai thotë se të pastrehët kërkojnë gjëra të thjeshta për festat, si për shembull, një palë dorashka të ngrohta.

"Ose të bashkohen me familjen, një dëshirë shumë e thjeshtë njerëzore. Ndryshe nga disa njerëz që presin dhurata të shtrenjta deri në makina të kushtueshme. Këta të pastrehë kënaqen me diçka humane bazë, me diçka të thjeshtë njerëzore për Krishtlindje".

Njerëzit që administrojnë organizatat bamirëse thonë se sezoni i festave i kujton njerzit që të ndihmojnë të tjerët gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG