Lidhje

Di Karlo: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, pavarësia e saj është kapitull i mbyllur


Di Karlo: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, pavarësia e saj është kapitull i mbyllur
Di Karlo: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, pavarësia e saj është kapitull i mbyllur

Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës sepse pavarësia e saj është kapitull i mbyllur, u shpreh dje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Rozmeri Di Carlo. Ky ishte takimi i radhës për diskutimin e raportit tremujor për gjendjen në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm OKB-së Ban Ki Mun. Në fjalën e saj, diplomatja amerikane u bëri gjithashtu thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë hap diplomatik.

Sipas opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe as rezulutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, theksoi zonja Di Carlo, duke iu referuar deklaratave që bëri kohët e fundit në Prishtinë Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton. Shtetet e Bashkura, tha më tej ajo, e përshëndesin dialogun mes Prishtinës dhe Beogradid, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si një mekanizëm për të ndihmuar të dy vendet të përmirësojnë kushtet e jetesës së popujve të tyre, si dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Zonja Di Karlo theksoi edhe në këtë rast se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Më lejoni ta bëj të qartë se ky dialog nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës apo integritetin e saj teritorial. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe kufijtë e saj janë të paprekshëm. 71 vende e kanë njohur deri tani Kosovën. Ne u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende atë të kontribuojnë në stabilitetin rajonal, duke e mirëpritur Kosovën në komunitetin ndërkombëtar me njohjen e tyre zyrtare”.

Në emër të Shteteve të Bashkuara, zonja Di Karlo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që ta mbështesë me çdo kusht qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet demokratik shumetnik e të bashkuar, të përgjegjshëm ndaj të gjithë qytetarëve të tij dhe plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

Kosova ka bërë shumë përparime që nga shpallja e pavarësisë, tha diplomatja amerikane, dhe Shtetet e Bashkuara presin mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të lira, të drejta dhe paqësore në muajin dhjetor dhe janë të gatshme ta ndihmojnë atë për të garantuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ajo u bëri thirrje atyre të thonë fjalën e tyre në proceset demokratike. Zonja Di Karlo kritikoi rolin destruktiv të qeverisë serbe në këtë proces.

“Neve na vjen keq që qeveria e Serbisë nuk ka shfrytëzuar rastin të luajë një rol konstruktiv në këtë proces. Ajo nuk e ka inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve sërbë të Kosovës në këtë proces. Komuniteti serb i Kosovës mbetet në disavantazh si rezultat i këtij vendimi”.

Zonja Di Karlo u bëri githashtu thirrje autoriteteve të Kosovës për të krijuar kushtet për nxitjen e rritjes ekonomike të vendit të udhëhequr nga sektori privat, duke kryer reforma agresive të gjyqësorit dhe duke luftuar krimin dhe korrupsionin.

Përfaqësuesja amerikane në Këshillin e Sigurimit theksoi se Shtetet e Bashkara mbështesin integrimin e Kosovës, të Serbisë, si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dëgjoi dje edhe diskutimet e përfaqësuesit të Sekretari të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Lamberto Xanier, si dhe të ministrit të Jashtëm të Serbisë Vuk Jeremiç dhe zv/ministres së jashtme të Kosovës Vlora Çitaku. Si dhe në takimet e mëparëshme të Këshillit të Sigurimit, qendrimet e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë mbeten të papajtueshme lidhur me statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG