Lidhje

Tiranë: Shoqatat e Pacientëve bashkohen kundër korrupsionit në shëndetësi


Në Tiranë, shoqatat e shumta të pacientëve vendosën sot të bashkojnë përpjekjet në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit dhe abuzimeve në sistemin shëndetësor.

Mjekësia shqiptare vlerësohet si një nga fushat më të korruptuara të Shqipërisë, krahas arsimit dhe doganave.

Përfaqësuesit e pacientëve u angazhuan të mbrojnë të drejtat e tyre, duke bashkëpunuar mes tyre si dhe me mediat dhe shoqërinë civile.

Shoqata “Së bashku për Jetën” mblodhi sot të gjithë shoqatat e pacientëve për të bashkërenduar veprimtarinë kundër korrupsionit dhe abuzimeve në sistemin shëndetësor të Shqipërisë.

Ata pohuan se së bashku mund t'i mbrojnë më mirë të drejtat e pacientëve, duke filluar nga denoncimi i rasteve korruptive e deri te zgjerimi i informacionit shëndetësor për reforma që ende nuk janë publikuar sa duhet.

Ky bashkëpunim është pjesë e projektit “Vepro Tani, Denonco Korrupsionin në Sistemin Shëndetësor”, që mbështetet nga ambasada amerikane në Tiranë.

Veprimtarët do të denoncojnë edhe një rryshfet që kërkohet nga mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë edhe abuzimet me shëndëtësinë në shkallë kombëtare.

Ky bashkëpunim mblodhi sot përfaqësues të shoqatave të pacientëve me HIV/AIDS, shoqatën e pacientëve me Diabet, shoqatës së pacientëve me Hemofili, shoqata e pacientëve me Hepatit, të cilët pavarësisht nga sëmundjet e ndryshme vuajnë të njëjtat shkelje të të drejtave të tyre, sa i takon mjekimit të shpejtë, dinjitoz dhe të mjaftueshëm.

Koordinatorja e projektit “Together for Life” Arlinda Gjypi thotë se ka shumë zyrtarë që nuk njohin Kartën e të Drejtave të Pacientit.

Nga mungesa e informacionit në fushën e shëndetësisë fillon edhe abuzimi, sepse mjekët dhe pacientët nuk njohin të drejtat dhe detyrimet e njëri tjetrit, madje nuk dinë se ekziston një kartë për të drejtat e pacientit.

Shkelja e të drejtave të pacientëve ëhstë një dukuri e zakonshme në Shqipëri, jo thjesht prej korrupsionit, por edhe nga mungesa e kulturës standarte në këtë fushë.

Shoqata Sëbashku për jetën ka marrë përsipër që të hetojë dhe të përfaqësojë pacientët me avokati falas edhe në procese gjyqësore.

Shkelja e të drejtave të tyre shndërrohet në fund në fatura dhe kosto të papërballueshme, thotë Asim Toro, përfaqësues i pacientëve me Diabet.

Përfaqësuesit e pacientëve u angazhuan të raportojnë mbi abuzimet në sektorin e shëndetësisë, rritjen e transparencës në këtë fushë, advokimin e të drejtave të tyre, korrupsionin me mjekimet e tyre dhe përhapjen e infeksionit brenda spitaleve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG