Lidhje

Kosovë: Udhërrëfyesi për vizat më 14 qershor


Stefan Fule dhe Hajredin Kuci

Stefan Fule dhe Hajredin Kuci

Bashkimi Evropian dhe Kosova përuruan sot dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit.


Autoritetet e Bashkimit Evropian thanë sot se më 14 qershor, Kosovës do t’i dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ky vendim u publikua gjatë takimit të sotëm përurues të dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit, ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

Ky dialog do të ofrojë një forum të nivelit të lartë për të vlerësuar rregullisht përparimin e Kosovës në fushën e gjyqësorit dhe luftës, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në përfundimet e takimit të parë që u mbajt sot në Bruksel thuhet se Komisioni Evropian ka theksuar që qëllimi i këtij dialogu është të ndihmojë Kosovën në përballjen e çdo sfide lidhur me këto fusha.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, KE ka nënvizuar rëndësinë e përmirësimit të mundësive të Kosovës për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht në mënyrë efektive rastet e krimit të organizuar ndër-kufitar, sidomos trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore. Në takim është theksuar nevoja për rritjen e përpjekjeve për të parandaluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin, ashtu si edhe nevoja për krijimin e mundësive për trajtimin e pasurive të përfituara nëpërmjet këtyre krimeve serioze.

Sa i përket gjyqësorit, Komisioni ka nënvizuar rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe efikas. Në vazhdimësi të përparimit të shënuar në miratimin e ligjeve, Kosova është inkurajuar që të ndjekë reformën gjyqësore për të fuqizuar më tej pavarësinë, paanshmërinë dhe transparencën. Sfida mbeten zvogëlimi i mëtejshëm i numrit të rasteve të pazgjidhura, sigurimi i një buxheti të mjaftueshëm për funksionimin e gjykatave, ristrukturimi i zyrave, si dhe plotësimi i vendeve të lira të punës për pakicat kombëtare, thuhet mes tjerash në përfundimet e takimit të sotëm.

Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fule e ka cilësuar takimin e sotëm një ditë të madhe për Kosovën.

Fillimi i dialogut tw sotëm qe paralajmëruar që më 27 mars të këtij viti nga komisionari Fule, i cili atëbotë u dorëzoi autoriteteve të Prishtinës,dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Fillimi i studimit të fizibilitetit u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të muajit mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, marrëveshje që i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG