Lidhje

Dick Clark, njëri prej emrave më të famshëm të muzikës rock and roll

  • Xhoen Kornblith

Dick Clark, ikona e industrisë së muzikës, i cili la gjurmët e tij si promovues dhe talent i muzikës, si personalitet televizioni dhe pronar i një perandorie komunikacionesh, vdiq këtë javë në moshën 82 vjeçare.

Ai nuk ishte këngëtar apo muzikant, Dick Clark ishte njëri prej emrave më të famshëm të muzikës rock and roll. Në vitet 1950-të dhe 60-të, programi i tij televiziv në orët e mbasdites, American Bandstand, ishte një element kryesor për adoleshentët në gjithë vendin, madje ai ndryshoi mënyrën se si amerikanët dëgjonin muzikën pop.

I lindur në Mount Vernon në periferi të qytetit të Nju Jorkut, Dick Clark u bë i njohur para se të përfundonte shkollën e mesme. Kariera e tij filloi në dhomën e postës së një radio-stacioni, që administrohej nga babai dhe xhaxhai i tij. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai kishte një program në radio. Ai vazhdoi të drejtonte një program muzikor gjatë viteve të universitetit dhe pas përfundimit të studimeve ai u kthye në stacionin e vogël radiofonik të administruar nga familja.

Pas një viti, më 1952, ai arriti një sukses të madh, filloi të punonte për radiostacionin WFIL në Filadelfia të Pensillvanisë dhe shpejt u bë një prej drejtuesve më të njohur të programeve në atë qytet. Në atë kohë, radiostacioni WFIL kishte gjithashtu pronë një stacion televiziv, që transmetonte një program vallzimi për adoleshentët me titull “Bandstand” dhe brënda pak vjetësh zoti Clark u bë edhe drejtuesi i regullt i atij programi. Në vitin 1957, rrjeti televiziv ABC vendosi të transmetonte në gjithë vendin programin “Bandstand”, pasi Dick Clark i bindi drejtuesit e tij se një program vallzimi për të rinjtë do të gëzonte popullaritet në gjithë vendin.

“Isha shumë i ri dhe në atë kohë në Filadelfia programi “Bandstand” kishte një audiencë shumë të madhe. 65 për qind e njerzve e shikonin atë në Filadelfia dhe sfidoi të gjithë konkurencën. U thashë drejtuesve të ABC-së se ky program do të ishte i sukseshëm kudo. U kërkova të na jepnin 5 javë për ta provuar këtë. Dhe në gusht të vitit 1957 ata pranuan dhe rezultati është pjesë e historisë”.

Programi më vonë i njohur si “American Bandstand,” u bë një prej programeve televizive me jtë më të gjatë në histori, nga viti 1957 deri më 1987. Çdo artist i muzikës pop interpretoi në programin “American Bandstand” nga Jerry Lee Lewis dhe Jackson Five tek Princ dhe Talking Heads. Paul Anka e filloi karierën e tij në programin “American Bandstand” në vitin 1957 me këngën “Diana”.

Suksesi i tij i parë në televizion bëri që Dick Clark të merej edhe me aspekte të tjera të industrisë së argëtimit. Ai filloi të regjistronte dhe të publikonte muzikë, të cilën më vonë qeveria amerikane e shikoi si një konflikt të mundshëm interesi. Në atë kohë, rryshfetet ishin të përhapura në industrinë e muzikës dhe Dick Clark u bë objekt kryesor i një hetimi nga Kongresi të këtij aktiviteti ilegal. Ndaj tij u sqaruan të gjitha dyshimet, por rrjeti televiziv ABC i kërkoi atij të shiste firmat e regjistrimit dhe të publikimit në mënyrë që të mbante programin e tij televiziv.

Në vitin 1963 Dick Clark shkoi në Hollywood dhe programi “American Bandstand” e ndoqi atë atje. Shpejt ai krijoi firmën Dick Clark Productions dhe korri sukses në një numër programesh televizive, duke bërë që shumë njerëz të mendonin se ai ishte tepër i dhënë pas punës dhe i ishte bërë si sëmundje.

“Njerëzit më thonë se pse punoj kaq shumë, se kam bërë mjaft para dhe mund të dilja në pension kur isha fare i ri. Unë kam qënë me fat që të jetoj atë që për mua ishte fantazi në vitet e rinisë. Desha të isha në biznesin e radios në moshën 13 vjeçare, këtë e realizova kur isha 17 vjeç dhe nuk dua të ndaloj”.

Në vitin 1972, Dick Clark u bë sinonim i një prej festimeve më të mëdha të vitit kur filloi transmetimin “Dick Clark’s New Year’s Rockin’ Eve” natën e vitit të ri dhe shikimi i këtij programi u bë shumë shpejt një traditë vjetore për miliona amerikanë. Zoti Clark vazhdoi drejtimin e këtij programi deri në vitin 2004, kur pësoi një goditje në tru, që e la pjesërisht të paralizuar. Por pas një viti, Dick Clark u kthye në transmetim dhe megjithëse herë herë ai nuk fliste dot qartë, shumë njerëz përshëndetën guximin e tij.

Dick Clark fitoi çmime pa fund gjatë karierës së tij. Shpesh njerzit bënin shaka me të rreth paraqitjes së tij, që i siguroi edhe nofkën “adoleshenti më i moshuar i Amerikës”. Ai ia atribuonte paraqitjen e tij të re geneve të tij të mira dhe citohet të ketë thënë se “nëse dëshironi të dukeni më të rinj se mosha reale, zgjidhni me kujdes prindërit”.

XS
SM
MD
LG