Lidhje

Diktatorët e shekullit të 21-të


Regjimet autoritare po përdorin instrumentat e opozitës për të ruajtur kontrollin

Të gjendur përballë rritjes së shpejtë demografike, papunësisë së lartë për të sapodiplomuarit dhe ndryshimeve në fushën e informacionit, regjimet moderne autoritare po përdorin gjithnjë e më shumë teknika të shekullit të 21-të për të ushtruar pushtetin e tyre dhe për të ruajtur status-quonë. William Dobson, autor i librit “The Dictator’s Learning Curve: Inside the Global Battle for Democracy”, thotë se është koha më e vështirë për të qenë diktator.

Në betejën mes shtypjes dhe lirisë në shekullin e 21-të, forcat e ndryshme janë tani aktorë në teatrin e ngjarjeve dhe lëvizjet e opozitës po përdorin gjithnjë e më shumë metoda paqësore. William Dobson, autor i librit “The Dictator’s Learning Curve: Inside the Global Battle for Democracy”, thotë se ndërsa objektivi i një diktatori në të kaluarën ishte që të mos lejonte që armët të binin në duart e popullit, tani përpjekjet përqendrohen tek parandalimi i demonstratave:

“Logjika e përdorur është që nuk ka rëndësi se çfarë mendon, rëndësi ka që të mos aktivizohesh”.

Në luftën për ndryshim, Srdja Popovic, themelues dhe udhëheqës i lëvizjes studentore serbe që rrëzoi Slobodan Millosheviçin në vitin 2000, thotë se ka disa rregulla pa të cilat asnjë opozitë nuk fiton dot:

“Për tetë vjet ne u përpoqëm të kuptonim se cilat ishin vlerat universale dhe arritëm në përfundimin që ishin tre të tilla: asnjë lëvizje opozitare nuk fiton dot pa unitet, planifikim dhe disiplinë paqësore”.

Zoti Popovic ka studiuar lëvizjet e fundit kundër regjimeve autoritare. Ai thotë se studimet tregojnë se suksesi i teknikave paqësore e zhduk iluzionin se dhuna është më efektive.

“Duket si e pabesueshme por beteja paqësore është një forcë më e madhe. Është efiçente në 56 për qind të rasteve krahasuar me 23 për qind të rasteve të dhunshme. Shkatërrimi i autoritetit me humor dhe me qetësim, taktikat që ne i quajmë me pak rrezik, ecja e ngadaltë, marshimi i ngadaltë me makina, përdorimi i ngjyrave, këngëve. Dhe grupet e ndryshme, jo vetëm nga bota arabe por edhe nga vende si Rusia, po mësojnë me shpejtësi nga njëri-tjetri, falë arritjeve të teknologjisë së re”.

Zoti Popovic thotë se ka ngjashmëri mes protestave në Serbi dhe atyre në Rusi që filluan vitin e kaluar pas zgjedhjeve të debatuara parlamentare të vendit.

“Ngjashmëria qëndron në faktin që në të dyja vendet protestat u drejtuan nga studentë dhe klasa e mesme. Ato kanë elementët e entuziazmit dhe humorit. Ato janë gjithashtu të lidhura me lirinë e votës, zgjedhjet e lira dhe të drejta”.

Por Marc Lynch, profesor i Shkencave Politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtor i Institutit për Studime për Lindjen e Mesme në Universitetin George Washington thotë se edhe regjimet moderne autoritare po mësojnë nga aktivistët. Ata po përdorin disa nga të njëjtat instrumente, internetin, mediat shoqërore dhe komunikimet me SMS për të minuar lëvizjet e opozitës.

“Dhe ky huazim metodash është një nga karakteristikat e gjithë dekadës që filloi në vitet 2000, se si mësojnë aktivistët dhe regjimet nga njëri-tjetri dhe nga përvojat në vende të ndryshme”.

Profesor Lynch thotë se regjime si ai i Egjiptit, ishin në gjendje të përballonin goditjet e opozitës dhe të përshtateshin.

“Nëse i hedh një vështrim Egjiptit, media e re u krijon mundësinë aktivistëve të organizohen dhe të komunikojnë dhe ta përhapin mesazhin përmes rrugëve të reja por pastaj regjimi ushtarak përdori televizionin shtetëror për të nxitur delegjitimimin e protestuesve dhe për të përhapur frikën e kaosit, që kontribuon në kthimin e njerëzve kundër revolucionit”.

Ai thotë se gjithsesi Siria është militarizuar dhe ka nxjerrë në pah mitet e Pranverës Arabe, që ndjenjat anti-qeveritare janë shumë të përhapura. Profesor Lunch thotë se rasti i Sirisë tregon se regjimet autoritare kanë bazë mbështetjeje ku një numër i madh njerëzish ndjehen thellësisht të kërcënuar nga mundësia e ndryshimit. Ai thotë se në këto lloj situatash metodat jo të dhunshme janë thelbësore.

Por zoti Dobson thotë se diktatorët modernë janë bërë më të rafinuar. Ndërsa teknologjia e re dhe media shoqërore e bëjnë të pamundur fshehjen e akteve të tyre, shumë po i përdorin këto mjete për të ruajtur kontrollin.





XS
SM
MD
LG