Lidhje

OSBE: Liria e shtypit është e drejtë njerëzore


Profesori i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku, thotë se shumica e mediave nuk janë fitimprurëse, ndaj kanë njëanshmëri politike

OSBE po zhvillon në Tiranë konferencën e tretë për mediat në Europën Juglindore, duke mbledhur mbi 180 gazetarë, veprimtarë të shoqërisë civile, qeverive dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar mbi gjendjen e medias në rajon, me transmetuesit publikë dhe reformimin ligjor e teknologjik të tyre.

Drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Uilton, theksoi në hapje të konferencës se “liria e shtypit është një temë kryesore e demokracisë dhe të gjithë duhet të japim ndihmesë që mediat t'i japin publikut informacion sa më të plotë dhe të shumanshëm mbi ngjarjet dhe punët e qeverisë”. Ndërsa ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha se “shteti dhe media shqiptare duhet të përmbushin disa standarte te BE, ku synojnë të antarësohen, përmes disa reformave ligjore dhe zbatimit të atyre ligjeve”.

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatoviç, tha se gjendja e lirisë së medias është përkeqësuar kohët e fundit në të gjithë zonën e OSBE dhe Europën juglindore, duke numëruar rastet e dhunës, presionit dhe burgimet e gazetarëve në Bosnje, Serbi dhe Maqedoni. “Përmirësimi lirisë së medias nuk është vetëm një çështje ligjore, por sidomos e zbatimit të ligjeve. Nuk flitet për liri të gazetarëve, për liri të redaktorëve apo të botuesve. Liria e medias është një e drejtë njerëzore individuale dhe për të arritur këtë duhet të bashkohen të gjithë; shoqëria civile, përfaqësues të qeverisë, organizmave ndërkombëtare. Kjo është një sfidë për udhëheqësit politikë që ta trajtojnë çështjen me maturi dhe kurajo” - tha zonja Mijatoviç.

Pjesëmarrës vendas në Konferencën e OSBE, tregojnë përvojat e medias shqiptare. Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku, thotë se pjesa dërrmuese e mediave shqiptare nuk janë fitimprurëse, dhe kjo i shtyn ato drejt njëanshmërive politike, duke ndjekur porositë e pronarëve, që ua mbulojnë shpenzimet me fonde të bizneseve të tjera.

Zoti Marku thotë se pengesa kryesore e mediave është mungesa e statusit të gazetarit, dhe kjo e bën profesionin e tyre të pasigurtë, sepse asnjë ligj nuk i mbron gazetarët. “Nga mungesa e statusit buron i gjithë degradimi i lirisë së medias shqiptare, - thotë ai - sepse media nuk kërcënohet nga burgu, por nga mospërfillja, nuk frikësohet nga ndëshkimi, por nga mosdëgjimi. Gazetarët nuk burgosen, por kur qeveria nuk u jep informacion, kjo është njëlloj për ta. Shteti ende nuk i bën mediat pjesëtarë të transparencës së qeverisjes, ndërkohë që gazetarët me redaksi të vogla e të varfëra bëjnë lajme sipërfaqësore për politikën dhe krimin, pa u marrë fare me gazetari të thelluar hetuese”.

Profesori i gazetarisë në UT është njëlloj skeptik si për lirinë e pakufishme të medias dhe mospaditjen në gjykata gjatë qeverisë Berisha ashtu edhe me centralizimin e burimeve me qeverinë Rama, sepse sipas tij, të dyja kanë prirjen për manipulim dhe shpërfillje të lirisë së shtypit. Si shumë kolegë të tjerë ai beson se rruga më e mirë është vetërregullimi i komunitetit të medias me kode etike, me rregulla pune, sepse siç mund të abuzojë shteti me mediat, mund të abuzojnë edhe mediat me lirinë e individit.

XS
SM
MD
LG