Lidhje

DioGuardi: Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët - një histori e rëndësishme


DioGuardi: Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët - një histori e rëndësishme
DioGuardi: Shpëtimi i hebrejve nga shqiptarët - një histori e rëndësishme

Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte e çështjeve të Ballkanit, thotë se shpëtimi i hebrejve në Shqipëri gjatë Holokaustit është një rast i mirë për shqiptarët që ta tregojnë historinë e tyre nga një pikpamje shqiptare dhe të theksojnë këtu Besën, virtutin e fjalës së dhënë. Para pak javësh ajo foli për këtë çështje edhe në projektin e historisë gojore, një forum ekspertësh që u mbajt në Pragë. Në një intervistë që i dha nga Nju Jorku Zërit të Amerikës, zonja DioGuardi tha se shpëtimi i hebrejve nuk ishte një akt fetar por një akt shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zonja DioGuardi, në konferencën e mbajtur në Pragë ju zgjodhët të flisnit për Besën dhe historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit. Përse pikërisht këtë temë?

Shirley Cloyes DioGuardi: Kjo është një temë shumë e rëndësishme për mendimin tim sepse i lejon shqiptarët të fillojnë të rindërtojnë historinë e tyre nga një pikëpamje shqiptare. Shqipëria është i vetmi vend i botës, i cili mund të thotë se çdo hebre që jetonte atje ose shkoi atje u shpëtua. Asnjë vend tjetër në Evropën Lindore nuk mund ta pohojë këtë për veten e tij. Ne kemi tani një shans të jashtëzakonshëm. Kanë mbetur vetëm 10 vjet përpara se të gjithë ata njerëz të cilët kanë shpëtuar hebrej të jenë shuar të gjithë. Prandaj ka aq rëndësi projekti i historisë gojore ku unë fola në Pragë. Për këtë projekt unë kam diskutuar edhe me Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Izrael dhe ne kemi këtu një rast tjetër për të treguar se çdo hebre që arriti të hyjë Shqipëri në atë kohë mundi ta bëjë këtë vetëm me ndihmën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, sidomos në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A jeni dakord se ka një interesim në rritje për historinë e shpëtimit të hebrejve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë?

Shirley Cloyes DioGuardi: Patjetër që ka një interesim në rritje. Por nuk e di nëse kuptohet sa duhet se ky është një rast që shqiptarët ta tregojnë historinë e tyre nga një pikëpamje shqiptare. Nga mesi i viteve 90, kur unë hyra në Lidhjen Civile Shqiptaro-Amerikane, dhe u bëra këshilltare e Lidhjes për çështjet e Ballkanit, për mua ishte shumë e qartë se, nga njëra anë shqiptarët kishin kaluar nëpër shekuj pushtimi dhe gjenocidi por nga ana tjetër e kisha të qartë gjithashtu se shqiptarët përgjithësisht nuk kishin zë në arenën ndërkombëtare. Jo vetëm aq, por e gjithë historia e tyre interpretohej gabim nga shtypësit e tyre. Kështu që historia e shqiptarëve gjatë Holokaustit është shans i mrekullueshëm që ata ta tregojnë atë që ndodhi nga një pikëpamje shqiptare, për të theksuar Besën dhe për të theksuar se nuk ishte vetëm elita politike por ishin të gjithë, që nga njeriu më i vogël, që shpëtuan hebrejtë.

Zëri i Amerikës: Këto vitet e fundit, është vënë shumë theks nga disa te shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrej dhe e gjithë kjo histori është përshkruar disa herë me ngjyra fetare. Cili është mendimi juaj?

Shirley Cloyes DioGuardi: Mendoj se kjo është shumë për të ardhur keq dhe është është një tjetër shembull kur të jashtëmit interpretojnë historinë e shqiptarëve, në vend që të jetë vetë shqiptarët ata që duhet të tregojnë historinë e tyre. E vërteta është se çdo shqiptar, qoftë mysliman, i krishterë, katolik apo hebre mori pjesë në shpëtimin e hebrejve. Kjo ka shumë rëndësi, pra nuk ishte një akt fetar, ishte një akt shqiptar.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët të jashtëmit. Meqë ra fjala, cilët janë këta të jashtëm?

Shirley Cloyes DioGuardi: Ka patur analistë të ndryshëm, të cilët për interesa personale duan ta venë theksin te lidhja me Islamin. E di se shumë shqiptarë i ka shqetësuar kjo por përgjigja ime do të ishte se, është përgjegjësi e shqiptarëve që të dalin dhe t'i sfidojnë këto pikëpamje duke e zhvilluar më tej projektin e historisë gojore. Këtu kemi për shembull punën e mirë të bërë nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael që filloi në vitin 2005, me Mustafa Rezniqin dhe Xhangyle Iliazin, punën e mëparshme të bërë nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael duke filluar nga viti 1993 dhe që vazhdoi me Apostol Kotanin dhe Petrit Zorbën si dhe me Felicita Jakoelin në Izrael. Lista është e gjatë dhe mendoj se ka shumë rëndësi që njerëzit që merren me këtë punë të mbështeten sepse kjo punë vazhdon, ne ende nuk e kemi të gjithë dokumentacionin.

Zëri i Amerikës: Mendoni se qeverisë shqiptare i takon të thotë fjalën e saj në të gjithë këtë diskutim?

Shirley Cloyes DioGuardi: Është koha që kjo trashëgimi e rëndësishme kombëtare të sillet në kontekstin e diskutimit të gjerë evropian. Mendoj se udhëheqësit shqiptarë, akademikët dhe aktivistët, të gjithë ata që kanë diçka për të kontribuar në këtë proces me kompetencë dhe ekspertizë duhet të marrin pjesë. Ky duhet të jetë pa dyshim një diskutim kombëtar shqiptar.

XS
SM
MD
LG