Lidhje

Diplomatët: Përparim në Këshillin e Sigurimit mbi rezolutën për Sirinë


Diplomatët: Përparim në Këshillin e Sigurimit mbi rezolutën për Sirinë
Diplomatët: Përparim në Këshillin e Sigurimit mbi rezolutën për Sirinë

Diplomatët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë, shfaqën një optimizëm të kujdesshëm mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në lidhje me mbështetjen e një plani të Lidhjes Arabe për të përfunduar dhunën në Siri. Por, ata pranuan se mospërputhjet kryesore në negociata vazhdojnë të mbeten.

Këshilli i Sigurimit po shqyrton një rezolutë e propozuar nga Maroku dhe e mbështetur nga vende të tjera arabe dhe nga vendet e perëndimit, e cila do të mbështeste një plan të Lidhjes Arabe për të tentuar t’i jepej fund krizës pothuaj një vjeçare në Siri, gjatë së cilës kanë humbur jetën më shumë se 5 mijë e 400 vetë.

Të martën, Kryeministri i Katarit dhe njëkohësisht kryetari i Lidhjes Arabe i bëri thirrje Këshillit që t’a mbështeste planin e tyre. Rusia, një aleate e ngushtë e Sirisë, ka qenë pengesa kryesore për arritjen e dhënies së mbështetjes nga ana e Këshillit të Sigurimit me 15 vende anëtare.

Ambasadorë të Këshillit të Sigurimit u takuan të mërkurën pasdite për të negociuar mbi pikat kyçe, përfshi mënyrën se si rezoluta do të mbështeste planin e Lidhjes Arabe, që parashikon një tranzicion politik sipas të cilit Presidenti sirian Bashar al-Assad do t’i kalonte pushtetin një zëvendësi.

Ambasadori britanik Mark Lyall Grant paraqiti qëndrimin e perëndimit, që bën thirrje për mbështetje të plotë.

“Për ne, pjesa kryesore e këtij teksti ka qenë gjithmonë mbështetja e iniciativës së Lidhjes Arabe dhe ne nuk lëvizim prej këtij qëndrimi. Ai ishte qëllimi i krijimit të tekstit të kësaj rezolute dhe ne do të insistojmë që të përfshihet në versionin përfundimtar.”

Por Rusia, si dhe disa vende të tjera të Këshillit të Sigurimit, ka shumë mundësi të mos e pranojnë një mbështetje kaq të qartë të asaj që ata konsiderojnë një ndryshim regjimi.

Diplomatët thanë se çështje të tjera problematike përfshijnë idenë e një ndërhyrjeje ushtarake si dhe furnizimin me armë të qeverisë siriane apo të protestuesve.

Ambasadori rus Vitaly Churkin u shpreh me tone pozitive kur i tha gazetarëve se gjatë negociatave ishin bërë përparime dhe se ai mendon se anëtarët e Këshillit tashmë e kuptojnë më mirë se “çfarë duhet bërë” nga ana e Këshillit “për të arritur një marrëveshje”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Susan Rice ishte më e kujdesshme.

“Është tepër herët, për mendimin tim, të dimë nëse do të ketë apo jo një marrëveshje. Por kam përshtypjen se pjesëmarrësit po shfaqin vullnet të mirë për të punuar në një mënyrë serioze.”

Ambasadori britanik tha se ishin bërë përparime dhe se kishte një dëshirë të qartë për të provuar hartimin e një teksti që mund të miratohej brenda kësaj jave. Ai tha se negociatat do të vazhdonin ditën e nesërme.

Gjatë takimit të së martës së Këshillit të Sigurimit në nivel ministerial, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton i tha anëtarëve të Këshillit se ata gjendeshin përballë një zgjedhjeje historike sipas së cilës ose mund të mbështesnin popullin sirian ose mund të bëheshin bashkëfajtorë për vazhdimin e dhunës.

XS
SM
MD
LG