Lidhje

Discovery, në fluturimin e fundit drejt një muzeu në Uashington


Anija amerikane për vajtje ardhje në hapësirë Discovery, kreu sot fluturimin e fundit për t’u vendosur në një muze në Uashington. Anija 28 vjeçare, u nis sot nga qendra e fluturimeve Kennedy në Florida, duke u transportuar nga një avion Boing 747 i modifikuar për NASA-n. Para se të ulej, anija kreu një fluturim simbolik, në lartësi të ulët, mbi qiellin e kryeqytetit për t’u krijuar mundësi banorëve ta shihnin. Anija Discovery do të vendoset në muzeun e hapësirës Udvar Hazy. Misionin e fundit në hapësirë anija Discovery e kreu para një viti. Me të përfundoi edhe epoka e udhëtimeve për vajtje ardhje në hapësirë të NASA-s. Agjencia amerikane e hapësirës, po punon tani për brezin e ardhshëm të mjeteve të fluturimit që do të shkojnë përtej orbitës së Tokës.

Anija Discovery do të vendoset në muzeun Udvar Hazy, në afërsi të Uashingtonit më 19 prill. Disa prej pasagjerëve më të njohur të saj do të jenë të pranishëm, si astronauti John Glenn, i cili në vitin 1962 u bë amerikani i parë që doli në orbitë rreth Tokës. Ai shkoi përsëri në hapësirë me anijen Discovery në vitin 1998. Muzeu i Hapësirës është një ndër më të vizituarit në botë. Pavioni i tij kryesor është në qendër të Uashingtonit, pranë Kongresit dhe monumenteve të tjera historike të kryeqytetit. Aneksi Udvar Hazy i këtij muzeu, që ndodhet rreth 30 kilometra larg kryeqytetit, vizitohet çdo vit nga mbi një milionë njerëz.

XS
SM
MD
LG