Lidhje

Disidenti kinez Chen ndodhet në një vend të sigurt në Kinë


Zyrtarët amerikanë thonë se një disident i verbër kinez që u arratis nga arresti shtëpiak dhe hyri në ambasadën amerikane në Pekin është larguar nga kompleksi diplomatik për t’u kuruar dhe për t’u bashkuar me familjen e tij.

Një zyrtar amerikan tha sot se qeveria kineze ka rënë dakord që ta vendosë Chen Guangchengun në një vend të sigurt në Kinë. Zyrtari tha se Chen nuk kërkoi strehim politik në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua njoftoi për daljen e Chenit nga ambasada, thoshte se ai ndenji gjashtë ditë në ambasadë dhe pastaj iku “me dëshirën e tij”.

Ministria e Jashtme kineze kërkoi që Shtetet e Bashkuara të kërkojnë falje që pranuan ta strehojnë Cheb, duke e quajtur këtë veprim një ndërhyrje të papranueshme në punët e Kinës. Po ashtu, tha se Uashingtoni duhet të japë garanci që nuk do të strehojë disidentë të tjerë.

Një editorial në gazetën Global Times të lidhur me Partinë Komuniste nuk i dha shumë rëndësi incidentit, duke thënë se nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas disa njoftimeve të mediave, Chen shkoi në një spital të Pekinit për t’u bashkuar me familjen, i shoqëruar nga ambasadori amerikan Gary Locke.

Rasti i Chenit la në hije bisedimet vjetore të zyrtarëve kinezë dhe amerikanë, të cilët nuk kishin pranuar të komentonin për këtë çështje para ditës së sotme.

Chen doli nga ambasada, disa orë pasi Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton mbërriti në Kinë për dy ditë bisedimesh të nivelit të lartë për sigurinë dhe ekonominë.

Chen është avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai ka qenë i verbër që nga fëmijëria. Ai u dënua me 4 vjet burg në vitin 2006 pasi demaskoi abuzimet me politikën kineze të abortit që ka si synim mbajtjen nën kontroll të rritjes së popullsisë. Ai ka qenë në arrest shtëpiak që në vitin 2010, para se të arratisej më 22 prill.

XS
SM
MD
LG