Lidhje

Disidenti Wu'er Kaixi nuk lejohet në Kinë

  • Ivan Broadhead

Një prej udhëheqësve kryesorë të protestave studentore në Sheshin Tienanmen të vitit 1989 u përpoq përsëri këtë javë t’u dorëzohej autoriteteve kineze, por ai u kthye mbrapsht në Hong Kong. Përpjekjet e Wu'er Kaixi për të vizituar prindërit e tij të sëmurë në Kinë e përqëndrojnë përsëri vemendjen tek ngjarjet që çuan në protestat e 4 qershorit 1989, ndërsa afrohet 25 vjetori i tyre.

Wu'er Kaixi, numri 2 në listën e Kinës si “personi më i kërkuar” mes aktivistëve të protestave në Sheshin Tienanmen, shkoi në aeroportin e Hong Kongut për të udhëtuar në Kinë që të vizitonte prindërit, por edhe i përgatitur për t’u arrestuar si personi i kërkuar për pjesëmarrje në kryengritjen e vitit 1989.

Duke folur me Zërin e Amerikës nga aerporti, disidenti shpjegoi se veprimet e tij ishin rezultat i urdhërit “absurd” të Pekinit për arrestimin e tij, ndërkohë që autoritetet refuzojnë ta lejojnë atë të kthehet në Kinë.

“U thashë se jam kriminel i kërkuar në Kinë dhe desha të dorëzohesha. Nuk kam parë prindërit e mi për më shumë se 20 vjet. Shpresoj që qeveria e Hong Kongut të më ndihmojë që të dorërohem, duke më ekstraduar në Kinë”.

Disidenti 45 vjeçar u shoqërua nga Taipej prej ligjvënësit demokrat të Hong Kongut, Albert Ho, i cili këshilloi gjithashtu kontraktorin e zbulimit amerikan, Edward Snowden.

Pas përpjekjeve të mëparshme për t’u arrestuar nga autoritetet kineze, përfshirë edhe hyrjen në ambasadën kineze në Uashington vitin e kaluar, ky baba i dy fëmijëve është përgatitur psikologjikisht që të bëjë burg, thotë zoti Ho.

“Këtë herë ai donte që zëri i tij të dëgjohej në publik. Ishte një thirrje humanitare. Megjithëse ai nuk do të bjerë dakord me asnjë dënim, që do t’i jepej, ai e ka kapërcyer frikën e burgut dhe dëshira e tij për të parë prindërit është shumë e më e madhe”.

Pasi e ndaluan për 5 orë në aeroport, autoritetet lokale i refuzuan hyrjen zotit Wu'er dhe e deportuan në Taivan. Ndërsa qeveria e Hong Kongut zakonisht ia dorëzon Kinës këdo që është në listën e të kërkuarve nga autoritetet, profesor Ma Ngok në universitetin kinez të Hong Kongut, nuk u habit nga mos ekstradimi i tij.

“Nëse ai lejohet të hyjë në Kinë, qeveria do të vihej në pozitë të vështirë: Nëse ngrenë akuza kjo do të tërhiqte vemendjen e komunitetit ndërkombëtar, diçka që Kina nuk e dëshiron. Në të njëtën kohë, është e pamundur për autoritetet kineze që ta lejojnë atë të hyjë në Kinë dhe të mos ndërmarrin asnjë masë kundër tij, prandaj Pekini preferon të mos e lejojë fare të hyjë në vend”.

Analisti politik, Willy Lam e takoi disa herë disidentin Wu'er Kaixi në Sheshin Tienanmen gjatë kryengritjes së vitit 1989. Ai thotë se Wu'er Kaixi ishte një udhëheqës karizmatik, që mbahet mënd më së miri për sfidën që i bëri kryeministrit kinez, Li Peng gjatë një debate televiziv më 18 maj të atij viti. Rasti i tij dhe i udhëheqësve të tjerë studentorë, thotë analisti, përbën një sfidë edhe për udhëheqjen e re të Kinës.

“Xi Jinping duhet të vendosë nëse do t’i lejojë apo jo në vend ish udhëheqësit studentorë. 20 deri 30 prej tyre në fakt janë lejuar të kthehen pasi u zotuan se nuk do të shkaktojnë trazira, por për figura të njohura si Kaixi ose Chai Ling, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, udhëheqja kineze nuk di çfarë të bëjë”.

Ndërsa diskutimi publik i masakrës së Tienanmenit nuk lejohet në Kinë, thotë zoti Ho, kjo nuk do të thotë se shembulli i disidentit Wu'er Kaixi dhe kolegëve të tij të kryengritjes është harruar plotësisht.

“Kina ka një shoqëri të mbyllur dhe kurrë nuk mund të dihet se çfarë ndosh në një shoqëri të tillë. Por është gjithnjë e mundur që diçka të shpërthejë dhe megjithëse qeveria u mohon qytetarëve të drejtën e informimit, ende ekziston një kujtesë kolektive se çfarë ndodhi në vitin 1989”.

Ndikimi i 4 qershorit 1989 vazhdon të rritet në Hong Kong, ku qindra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në vigjiljen e vitit të ardhshëm për të përkujtuar ata që u vranë në Sheshin Tienanmen para një çerek shekulli. Dhe gjatë viteve të fundit, ndryshe nga udhëtimi i dëshiruar i disidentit Wu'er Kaixi, një numër në rritje vizitorësh në Kinë po shkojnë në Hong Kong për të marrë pjesë në ngjarrjet përkujtimore.
XS
SM
MD
LG