Lidhje

Ende pa strehë famijet rome, flenë në rrugë


kriza rome 2
kriza rome 2

Aty janë rreth 200 persona, nga të cilët rreth 100 vetë janë fëmijë pa kujdes shëndetësor dhe me prindër, që nuk kanë të holla t'u blejnë ilaçe

Sot është dita e 17 që rreth 40 familje rome me afro 200 antarë po jetojnë në qiell të hapur dhe në gjendje të rëndë shëndetësore pasi iu shembën kasollet dhe u dëbuan nga një zonë ndërtimi pak kilometra nga qendra e Tiranës. Ata po jetojnë në një trotuar të unazës së kryeqytetit, duke pritur që autoritetet shtetërore të angazhohen për strehimin dhe integrimin e tyre. Veprimtarët e të drejtave njerëzore thonë se kjo nuk është zona e vetme, dhe se grupe të mëdha familjesh rome pritet të dëbohen edhe nga disa zona të tjera në Tiranë si Selita, Shkoza, Bregu i Lumit dhe qytete të tjera.

Qysh nga fillimi i gushtit ata jetojnë dhe flenë në trotuar, duke pritur që dikush t'u japë një drejtim të ri për mbijetesën e tyre. Aty janë rreth 200 persona, nga të cilët afro gjysma rreth 100 vetë janë fëmijë pa asnjë kujdes shëndetësor dhe me prindër që nuk kanë të holla të blejnë ilaçe për ta.

Një firmë ndërtimi vendosi 3 javë më parë t'i largojë rreth 100 familje rome nga një zonë ku jetonin prej afro dy dekadash, për të ndërtuar aty blloqe të reja apartamentesh moderne. Pjesa më e madhe u larguan në vende të tjera, ndërsa aty në trotuar kanë mbetur rreth 40 familje të varfëra rome, që janë më të këputurit dhe më të dëshpëruarit.

Në përgjigje të protestave të tyre ministria e çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta u ka ofruar për strehim disa reparte të braktisura ushtarake në periferi të Tiranës, që janë refuzuar menjëherë si të pabanueshme. Avokati i Popullit paraqiti sot publikisht disa propozime për ndryshime ligjesh, që mund t'u hapin rrugën komuniteteve rome që të sigurojnë strehim, ndihmë sociale, punësim të qëndrueshëm dhe regjistrim popullate.

Për ndërkombëtarët gjendja është e rëndë për romët dhe njëkohësisht zgjidhja është e thjeshtë, Mjafton që të gjendet vullneti i pushtetarëve për të ndryshuar ligjet në dobi të romëve.

“Siç thotë avokati i popullit ekzistojnë shumë pengesa ligjore e burokratike që romët të pëefitojnë banesa sociale dhe të trajtohen me dinjitet. Në thelb ky studim është një lajm i mirë, sepse pengesat burokratike mund të hiqen lehtësisht nga zyrtarët. Ne mendojmë se rekomandimet e avoktatit të popullit janë një bazë e mirë që qeveria e ardhshme të ndërtojë politika të reja për pakicat kombëtare”- thotë Marko Leidekker, drejtuesi i zyrës së këshillit të europës në Tiranë.

Veprimtarët e të drejtave njerëzore pohojnë se ndërkohë janë edhe shumë grupime të tjera rome që po dëbohen në disa zona të tjera. Përfaqësues të organizatave rome hedhin poshtë si të pavërteta edhe njoftimet se kanë përfituar shumat e financuara nga donatorët ndërkombëtarë për komunitetin e tyre. Tek romët e varfër nuk mbërrin asgjë, thonë ata, ndërsa të tjerët shkruajnë raporte të bukura për të drejtat e tyre.

Përfaqësues diplomatik nga SHBA, OSBE, OKB dhe Bashkimi Europian u bënë thirrje autoriteteve shtetërore që të zgjidhin problemet e pakicave rome si çështje të të drejtave njerwzore, dhe jo si një çështje ekonomike apo administrative. Ata janë mbledhur disa herë me avokatin e popullit për të ndihmuar në zgjidhjen e emergjencave rome, aq më tepër që gjithë Europa është në mesin e dekadës rome, dhe kur integrimi i tyre është një nga detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

XS
SM
MD
LG