Lidhje

Festimet për ditën e Bastijës në Paris


Udhëheqës botërorë, mes së cilëve edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, morën pjesë në festimet për ditën e Bastijës në Paris, së bashku me Presidentin francez Francois Hollande.

Afro 5 mijë trupa, përfshirë ushtarë të OKB-së me bereta blu dhe pjesëtarë të ushtrive të 13 vendeve afrikane marshuan në paradë para tribunës presidenciale ku qëndronin zoti Hollandë dhe zoti Ban.

Festa më e madhe franceze u mbajt nën hijen e trishtueshme të përplasjes vdekjeprurëse të trenit 20 kilometra në jug të kryeqytetit francez. Të paktën shtatë vetë është njoftuar se kanë humbur jetën kur treni doli nga shinat të premten. Shumë të tjerë u plagosën.

Në një intervistë televizive sot, Presidenti Hollande tha se duhet punuar më shumë për të mirëmbajtur hekurudhat tradicionale. Por Presidenti u përqendrua në arritjet e Francës. Ai tha se ekonomia franceze po rimëkëmbet.

Parada tradicionale në Champs Elysees kryesohej nga një oficer nga Mali, duke tërhequr vëmendjen për rolin e Francës në çlirimin e veriut të këtij vendi nga islamistët dhe grupe të tjera kryengritëse.
XS
SM
MD
LG