Lidhje

Vetëdorëzohet ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku


I shkarkuar disa ditë më parë nga posti, Çollaku dyshohet për shpërdorim detyre në vjedhjen e rezervave të Bankës së Shqipërisë.

Ish-drejtori i Thesarit në Bankën e Shqipërisë Dorian Çollaku u vetëdorëzua sot në mëngjes në polici, pasi mbrëmë prokuroria nxori një urdhër ndalimii për të si i dyshuar për shpërdorim detyre në vjedhjen e disa miliona dollarëve nga rezervat. Ai njoftoi pak pasi doli urdhëri i ndalimit se nuk gjendej në kryeqytet dhe se do të vetëdorëzohej në mëngjes.

Ndalimi i zotit Çollaku është i nënti në radhën e zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, pasi u zbulua vjedhja e afro 7 milionë dollarëve në 4 vjet nga Ardian Bitraj, njëri prej përgjegjësve për të ruajtur paratë.

Hetimet po përparojnë për këtë skandal, ndërsa sot është dita e tretë e protestave të përditshme të shoqërisë civile para Bankës së Shqipërisë. Disa dhjetëra qytetarë dhe të rinj veprimtarë të shoqërisë civile protestuan dje para zyrave të Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar dorëheqjen e guvernatorit Ardian Fullani ose shkarkimin e tij nga autoritetet shtetërore.

Ata mbanin në duar parrulla kundër korrupsionit dhe më pas i ngjitën në portën e selisë së Bankës së Shqipërisë, në shenjë proteste për vjedhjen e parave. E veçanta e këtyre protestave është se këta të rinj lajmërohen midis tyre përmes rrjeteve sociale, dhe nuk janë veprimtarë partiakë. Kjo është hera e dytë që të rinjtë mblidhen në këtë mënyrë nga rrjetet sociale për të protestuar mbi problemet që ka vendi. Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe për ndalimin e lëndëve kimike nga Siria në Shqipëri.

Një protestë të ngjashme zhvilloi në sheshin Skënderbej edhe Aleanca Kuqezi, duke kërkuar largimin e guvernatorit, gjetjen dhe kthimin e parave të vjedhura. Aleanca Kuq e Zi fajësoi partitë kryesore politike që emërojnë me mirëkuptim të tillë drejtues.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e guvernatorit Fullani, ose shkarkimin e tij nga autoritetet shtetërore, duke e mbajtur atë si përgjegjësin kryesor për skandalin e vjedhjes së rezervës së parave në Bankën e Shqipërisë.

Një punonjës i Bankës u vetëdorëzua pasi abuzoi me fondet rreth 7 milionë dollarë për 4 vjet. Deri janë arrestuar 9 punonjës të tjerë dhe hetimet vazhdojnë për një nga ngjarjet më të rralla në jetën e Shqipërisë; vjedhja e drejtpërdrejtë e të hollave në Bankën Qendrore.

XS
SM
MD
LG