Lidhje

Dita e gjashtë e protestave në Francë

  • Zëri Amerikës

Dita e gjashtë e protestave në Francë

Dita e gjashtë e protestave në Francë

Sot në Francë vazhduan protestat në qytete kryesore të vendit, ku pjesëmarrësit shprehin kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit që synon rritjen e moshsë së pensionit nga 60 në 62 vjeç. Në periferi të Parisit studentë me maska, të cilët u vunë zjarrin kazanëve të plehërave u përlshën me policinë. Pritet që Senati francez të votojë këtë javë për projektligjin, që ka nxitur protestat:

Në Francë filloi sot dita e gjashtë e protestave kundër planeve të qeverisë për rritjen e moshës së pensionit. Qindra studentë u mblodhën tek Sheshi i Republikës në qendër të Parisit për të demonstruar kundër këtyre reformave. Presidenti francez Nikola Sarkozi premtoi se do t’i arrestonte individët problematikë, të cilët duket se po shfrytëzonin protestat.
“Duhet t’u kushtojmë vëmendje disa individëve problematikë. Do të konsultohem me autoritetet për t’u siguruar që rendi publik të garantohet. Kjo është detyra ime.”

Sot në mëngjes, disa qindra të rinj ishin mbledhur në periferinë e Parisit, Nanterr tek një shkollë e mesme që ishte mbyllur nga përleshjet e një dite më parë. Policia hodhi gaz lotsjellës kundër studentëve të shkollave të mesme që gjuanin me gurë dhe i vunë zjarrin një makine gjatë protestave.

Punëtorë nga shumë sektorë të ekonomisë franceze iu bashkuan protestës sot, një javë pas protestës së punëtorëve të rafinerive të naftës. Udhëheqësit e sindikatave kanë premtuar se do të vazhdojnë të ushtrojnë trysni deri sa qeveria ta hedhë poshtë planin jopopullor, duke thënë se pensioni në moshën 60-vjeçare është e drejtë sociale bazë.

Megjithatë presidenti Sarkozi thotë se reforma duhet zbatuar patjetër, për të shpëtuar sistemin e pensioneve, i cili është me humbje.
“Unë kam menduar gjatë para se ta filloja reformën. Nuk mund t’i shtyjmë më, sepse duhet të sigurohemi që pensionistët e sotëm dhe ata të nesërm do t’i marrin pensionet e tyre.”

Protestat në Francë zhvillohen, ndërkohë që vendet në të gjithë Evropën po shkurtojnë shpenzimet dhe po rrisin taksat për të ulur deficitin dhe borxhin e recesionit më të rëndë në 70 vjet.


XS
SM
MD
LG