Lidhje

Dita e Lirisë së Shtypit, shënohet roli i qytetarëve

  • Ulilliam Aide

Dita e Lirisë së Shtypit, shënohet roli i qytetarëve

Dita e Lirisë së Shtypit, shënohet roli i qytetarëve

Javën e ardhshme në Uashington, Kombet e Bashkuara do të shënojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Ngjarja e këtij vit ndodh ndërkohë që mediat shoqërore, telefonat celularë dhe interneti po luajnë një rol gjithherë e më të madh për të mundësuar shprehjen e lirë. Siç kanë dëshmuar ngjarjet e fundit në Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore, të ashtuquajturit “gazetarë qytetarë” po ushtrojnë ndikim të gjerë.

Kjo video amatore njoftohet të jetë xhiruar në rrugët e Barzasë në Siri dhe të jetë shpërndarë përmes internetit, ndërkohë që protestuesit mbanin zi për vdekjen e veprimtarëve pro demokracisë që thuhet se janë vrarë nga autoritetet siriane.

Një tjetër, e vendosur në YouTube, tregon një funeral në lagjen Al Midan të Damaskut për një protestues të vrarë gjatë një tubimi antiqeveritar një ditë më parë.

Adel Iskandar, specialist pranë Universitetit Xhorxhtaun, thotë se media shoqërore dhe gazetarët qytetarë ndihmuan për të tubuar protestues dhe luajtën një rol të madh në dokumentimin e trazirave që po trondisin botën arabe.

“Ata ndjejnë një përgjegjësi, një përgjegjësi të madhe, në rastin e Sirisë, ku nuk ka gazetarë në terren. Kjo është një detyrë e madhe sepse ata janë syri dhe veshi i botës”.

Kryengritjet tashmë kanë rrëzuar qeveritë në Egjipt dhe Tunizi, ndërsa rrjedhojat e protestave të tjera janë ende të paqarta.

Kortni Raxh punon në organizatën amerikane “Freedom House”, e cila vëzhgon ndryshimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe lirinë.

Ajo thotë se përhapja e gjerë e telefonave celularë në botën arabe ofron një mjet të fuqishëm për veprimtarët dhe qytetarët, sidomos ngaqë individët në disa vende kanë më shumë se një telefon celular.

“Ata bëjnë fotografi ose xhirojnë brohoritjet e protestuesve dhe brutalitetin e policëve ndaj tyre. Në shumë raste janë të lidhur me rrjete e avancuara 3G dhe mund të ngarkojnë videot e fotot në internet drejtpërdrejt, pa pasur nevojë të përdorin një kompjuter ose të rrezikojnë që t’u konfiskohen telefonat”.

Adel Iskandar thotë se xhirimet dhe fotografitë nga Siria mund të gjenden nëpër faqe interneti sikurse kjo në Facebook.

“Tani al-Xhazira, Al Arabija e televizionet e tjera po mbështeten mjaft në materialet e gazetarëve qytetarë në Siri dhe kanë bërë të njëjtën gjë edhe në Bahrejn, Egjipt e gjetiu”.

Ndërsa gazetarët qytetarë po luajnë një rol të madh, Kortni Raxh thotë se nuk ka të ngjarë që gazetaria qytetare të zëvendësojë atë tradicionale.

“Nuk mund të mbështetemi vetëm në qytetarë të rastit e anonimë për të mbuluar ngjarje kryesore politike e ekonomike; ata zakonisht përqendrohen në çështje anësore që nuk mbulohen nga mediat kryesore”.

Megjithë fuqinë e medias shoqërore, ajo ka edhe kufizime. Gjatë kryengritjes në Egjipt, qeveria ndërpreu internetin. Në Tunizi, autoritetet njoftohet të kenë hyrë në llogaritë në Facebook të individëve që besohej se po nxisnin trazirat.

XS
SM
MD
LG