Lidhje

Amerikanët festojnë Ditën e Falenderimeve


Amerikanët festojnë sot Ditën e Falenderimeve. Dita e Falenderimeve është momenti kur amerikanët mblidhen me familjen në një festë të organizuar përreth darkës tradicionale të gjelit të detit dhe një numër pjatash të tjera garniture dhe ëmbëlsirash.

Gojëdhënat na tregojnë se Dita e parë e Falenderimeve u shënua në 1621, kur kolonët e parë u mblodhën për të shprehur falenderime për të korrat e mbara pas një dimri të ashpër.

Më se një shekull më pas, në 1789, Presidenti i parë amerikan George Washington nxori një deklaratë për Ditën e Falenderimeve.

Dje, Presidenti Barak Obama ndoqi një traditë të vendosur prej dekadash, duke u falur jetën dy gjelave të detit, të quajtur Popcorn dhe Caramel – Kokoshka dhe Karamelja. Presidenti u shpreh me shpoti se dy gjelat e falur kishin qenë në një konkurrencë të fortë me 80 shpezë të tjerë për të siguruar faljen nga Shtëpia e Bardhë.

Tani dy gjelat do t’i shpëtojnë fatit të milionave gjelave të tjerë që do të shërbehen sonte në tryezën e Ditës së Falenderimeve, në sofrat familjare të miliona amerikanëve.

Shoqata Amerikane e Automjeteve përllogarit se më shumë se 43 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë 80 kilometra ose më shumë këtë javë. Udhëtimi është shpesh një odise e vështirë.

Parashikimet e motit flasin për kushte të vështira atmosferike, me rreshje, rrugë të rrëshqitshme e të ngarkuara dhe temperatura të ulëta në pjesën verilindore të vendit. Lëvizja e pasagjerëve është një sfidë e madhe edhe për linjat hekurudhore dhe aeroportet e vendit. Shoqëritë ajrore kanë shtyrë mijëra fluturime dhe kanë pezulluar qindra të tjera si rezultat i motit të keq që tani ka përfshirë gjithë bregdetin lindor.

Presidenti Obama u bëri thirrje amerikanëve që në këtë ditë feste të kujtojnë e ndihmojnë personat në nevojë:

"Kjo është një festë e traditës amerikane. Në këtë ditë shprehim falenderime për miqtë e të afërmit, por edhe për ata që ndihmojnë dikë në nevojë”.

Familja Obama do të kontribuojë në ndihmë të një shoqate bamirëse që shërben darka me gjel deti për të pastrehët dhe të uriturit e kryeqytetit amerikan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG