Lidhje

Dita e Kolombit shoqërohet me debate


Të hënën e dytë të tetorit në Shtetet e Bashkuara është Dita e Kolombit, që përkujton eksploruesin Kristofor Kolombi dhe zbulimin prej tij të Amerikës. Kjo festë është burim krenarie për shumë amerikanë, por për disa të tjerë, është e debatueshme.

12 tetori është një ditë e rëndësishme dhe lidhet me mbërritjen e eksploruesit Kristofor Kolombi në atë që u quajt “Bota e Re”. Por shumë italiano-amerikanë e festojnë Ditën e Kolombit edhe ngaqë Kolombi ishte italian. John Viola, president i Fondacionit Kombëtar italo-amerikan, thotë se domethënia e kësaj feste është e përzier.​

“Dita e sotme është një rast për të festuar kontributin tonë në këtë vend, historinë e paraardhësve tanë. Ndërsa për pjesën tjetër të amerikanëve, Dita e Kolombit është një mënyrë për të nderuar imigrantët e vendit tonë.”

Disa mendojnë se Kolombi ishte një eksplorues i madh, por të tjerë ndjehen të fyer nga trashëgimia që ai la pas. Joe Genetin-Pilawa, profesor historie në Universitetion “George Mason”, thotë se me mbërritjen e tij Kolombi skllavëroi shumë nga banorët vendas. Qindra mijëra të tjerë humbën jetën nga sëmundjet që sollën me vete vizitorët europianë.​

“Brenda 10 vjetëve, që nga ardhja e parë e evropianëve në vitin 1492, e deri në vitin 1502, sipas vlerësimeve, popullsia Taino, që jetonte në Bahamas, u pakësua nga rreth një milion, në 500 vetë.”

Robert Holden, nëndrejtor i Kongresit Kombëtar të Indianëve të Amerikës, thotë se historia e Kolombit është e shtrembëruar.​

"Ka patur gjithmonë pikëpyetje përsa i përket komuniteteve të fiseve indigjene dhe se si u dukemi ne shkruesve jo-indigjenë të historisë për një audiencë jo-indigjene.”

David Silverman, profesor historie në Universitetin “George Washington”, thotë se historia duhet treguar e plotë.​

"Mendoj se nuk duhet fokusuar tek një aspekt i së shkuarës dhe të neglizhohet një tjetër. Ato duhen parë së bashku, në mënyrë që Kolombi të bëhet një figurë tre-dimensionale.”

Disa thonë se emri i festës duhet ndryshuar zyrtarisht në Dita e Popullsisë Indigjene, ndërsa të tjerë thonë se amerikanët indigjenë duhet të gjejnë një ditë tjetër për të festuar trashëgiminë e tyre.

XS
SM
MD
LG