Lidhje

Dita Kombëtare e Arsimit, protesta dhe studime


Dita Kombëtare e arsimit u përkujtua në mënyra të ndryshme në Shqipëri. Grupe studentësh protestuan para ministrisë së arsimit duke kërkuar shtimin e cilësisë së studimeve dhe luftës ndaj korrupsionit. Ndërkohë në forume të ndryshme u verësuan me nderim mësues dhe rilindas të shquar që ruajtën gjuhën shqipe dhe zhvilluan kulutrën shqiptare.

Një grup studentësh të organizatave rinore protestuan sot para ministrisë së arsimit duke kërkuar mbrojtjen e gjuhës shqipe, dhe krijimin e kushteve për kthimin e dijetarëve shqiptarë nga shtete të tjera. Organizata “Fol Shqip” kërkoi në këtë tubim politika të kujdesshme për punësimin dhe largimin e mësuesve nga shkollat publike dhe forcimin e kontrollit në shkollat private. Një përfaqësues i protestuesve, Admir Harkulla, tha se protesta u mbajt pikërisht në Ditën Kombëtare të Arsimit në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e zyrtarëve për vështirësitë e shkollave dhe universiteteve, cilësisë, paaftësisë dhe korrupsionit në to, dhe sidomos përdorimin në to të një shqipe sa më të pastër.

Dita Kombëtare e Arsimit u përkujtua sot me një seri veprimtarish të tjera. Shoqata Tirana nderoi sot mësuesit e kryeqytetit, në një tubim ku u përkujtua Ali Kukaleshi një nga klerikët që punoi më shumë për hapjen e gjuhës shqipe dhe kundër analfabetizmit në Shqipërinë e Mesme.

Profesorë të njohur të universitetit të Tiranës kujtuan ngjarje të hershme në historinë e arsimit shqiptar dhe përpjekjet e rilindasve shqiptarë për të ruajtur gjuhën dhe ngritur shkollat shqipe. Profesori Ismail Demneri thotë se “historia e arsimit shqiptar duhet plotësuar me shumë data, ngjarje dhe figura patriotike që sakrifikuan për zhvillimin e arsimit, por janë lënë në harresë për arsye të ndryshme”.

Edhe pse njihen datime më të hershme, është bërë traditë tashmë që Dita Kombëtare e Arsimit festohet pranë një shkolle në qytetin e Korçës, e cila përfshin simbolikisht të gjithë emrat e mësuesve, rilindasve, shkrimtarëve, studiuesve që punuan me vendosmëri për të zhvilluar kulturën shqiptare, në valët e një historie të trazuar me pushtime dhe luftëra të gjata.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG