Lidhje

Dita ndërkombëtare e romëve


Sot është dita ndërkombëtare e të drejtave të pakicave rome. Organizatave joqeveritare në Shqipëri po zhvillojnë një seri projektesh për t'i ndihmuar në plotësimin e nevojave të shumta. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve i është bashkuar nismës për futjen e fëmijëve rom në kopshte dhe klasa parashkollore. Megjithëse kanë vështirësi të shumta në jetën e tyre, fëmijët rom nuk po i braktisin mësimet, dhe po i ndjekin shkollat rregullisht.

Shtëpia e të Drejtave të Njeriut, një grup organizatash të shoqërisë civile, po zhvillon midis shumë veprimtarish të tjera kundër diskriminimit shoqëror, edhe një projekt për integrimin e fëmijëve romë në sistemin arsimor. Shkolla 9-vjeçare “Gjergj Fishta” në periferi të kryeqytetit është bërë një nga qendrat më të spikatura të përpjekjeve për të futjen e romëve në procesin mësimor.

Klaudio Pulaha, thotë se CRCA deri tani ka regjistruar në kopsht 17 fëmijë romë, ku ndjekin mësimet parashkollore. Në fazën e parë u zhvilluan takime me të gjithë familjet rome, drejtuesit e shkollave dhe kopshteve dhe pushtetin vendor për të zbuluar fëmijët që nuk ndiqnin kopshtet dhe shkollat. Ministria e arsimit, e shëndetësisë dhe e mirëqenies po e mbështesin nismën për të afruar fëmijët në klasat parashkollore, thotw ai.

Drejtori i shkollës Faik Maqellara, thotë se mësuesit dhe nxënësit bëjnë ç'është e mundur për integrimin e fëmijëve romëve, duke i mbështetur me gjithçka, dhe duke i kërkuar nëpër shtëpira, kur mungojnë. Një ndihmë e madhe për fëmijët romë janë librat falas që ata marrin nga ministria e arsimit, ndërsa shokët e klasës i ndihmojnë disa prej tyre me materiale të tjera shkollore.

Mbrojtja e fëmijëve romë është vetëm një pjesë e punës së Shtëpisë së të drejtave të njeriut, e cila sapo është krijuar nga bashkëpunimi i një seri shoqatash të kësaj fushe. Mirgit Vataj, thotë se kjo shtëpi e të drejta njerëzore lindi si një nevojë përballë diskriminimit të shumë grupimeve dhe shtresave shoqërore.

Nisma për të futur gjithë fëmijët romë në kopshte po mbështetet nga UNICEF dhe po zbatohet prej nëntori nga 3 organizata; qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, observatori i të drejtave të fëmijëve dhe shoqata e grave kristiane. Kjo nismë është shtrirë në të gjithë vendin dhe parashikon përfshirjen e fëmijëve në klasa parashkollore dhe më tej në klasat e rregullta. Shkollimi i romëve është pjesë e përpjekjeve që po bëhen për të përmirësuar gjendjen e vështirë të tyre.

Raporte të ndryshme nga avokati i popullit dhe institute të tjera qeveritare dhe joqeveritare tregojnë për mungesa të shumta që pakicat rome kanë në strehim, punësim, mbrojtje sociale dhe mjekim. Diskriminimi i kësaj shtrese vazhdon me varfërinë dhe kushtet e rënda të jetesës, dhe deri tek pamundësia ligjore për të përfituar nga skemat e kujdesit ekonomik dhe social.

XS
SM
MD
LG