Lidhje

Shënohet dita e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë


Një mijë e 781 varëse me nga një shenjë të pikëpyetjes u vendosën sot në qendër të Prishtinës për të tërhequr vëmendjen për fatin e pandriçuar të aq personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kjo veprimtari ishte një nga format e shënimit të 27 prillit që është dita kombëtare e personave të zhdukur në Kosovë, një ditë kjo e vendosur në kujtim të 27 prillit të vitit 1999, kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe kishin vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve për një kohë të gjatë ishin fshehur.

Familjarët e personave të zhdukur edhe sot kanë bërë thirrje për më shumë angazhim të autoriteteve vendase e ndërkombëtare për të zgjidhur këtë çështje. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se një trysni më madhe politike duhet të ushtrohet ndaj Beogradit për të përshpejtuar procesin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve.

Kosova doli nga lufta me rreth 6 mijë të zhdukur ndërsa edhe 13 vjet më pas mbetet i paqartë fati i 1 mijë e 781 vetave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Që nga pranvera e vitit 2004 Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar disa takime të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, për këtë çështje, por rezultatet janë ende të pakta. Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, thonë se gjatë këtij viti do të zhvillohen kërkime në 36 vende të ndryshme ku mendohet se mund të ketë trupa të të zhdukurve.

XS
SM
MD
LG